I ftuar në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, ka komentuar atentatin e mbrëmjes së të dielës ku mbeti i vrarë Iliaz Çali.
Karamuço tha se për këtë vrasje janë 3 pista hetimi, e para është konflikti për biznesin e kromit, pista e dytë ajo e lëndëve narkotike dhe pista e tretë grabitja e parave në Rinas.,
“Janë 3 pista sepse normalisht është fokusuar tek fusha e minierave, është fusha e narkotikëve, por edhe pista e vjedhjes së Rinasit, sepse siç e dimë ky person dyshohej në vitin 2016-të që të kishte marrë pjesë në grabitjen e Rinasit, dhe gjatë kontrollit të ushtruar ju gjetën dhe bimë kanabisi. Si ka mundësi që ekziston në ekstraktet e QKB-së dhe rezulton i kërkuar në policia e shtetit”, tha Karamuço.
Gjithashtu profesori i kriminalistikës tha se si vrasja e Çalit ashtu dhe ajo e Dumanit tregojnë se sot në Shqipëri grupet kriminale apo individë të caktuar lëvizin të armatosur nën “hundën” e policisë dhe nuk i ndalon askush.
“Çfarë e lidh ngjarjen e djeshme me ngjarjen e Dumanit është kjo se këta lëvizin të armatosur, lëvizin të lirë dhe nuk i kap policia. Dumani u gjet vetëm pas një telefonate, u kap i plagosur dhe i armatosur. Këto ngjarje duhet të parandalohen me informacione. Ngjarja e mbrëmshme afër Rinasit, dy makina duke lëvizur me shpejtësi, plumbat që shkonin në drejtim të bizneseve. Janë 600 raunde në sekondë të Kallashnikovit, 350-400 metra që shkon plumbi, kallashnikovi është armë lufte dhe rrezikon jetën e kalimtarëve, ato breshëri kanë qenë një rrezik shumë i madh për jetën e qytetarëve”, tha Karamuço.
Gjithashtu ai shtoi se në të gjitha rastet, përfshirë dhe atë të Astirit, personat që kryejnë krime po shfrytëzojnë errësirën. Sipas tij heqja e dritave në akset kryesore gjatë natës, është kthyer në një situatë që favorizon krimin./abcnews.al