Zgjedhjet politike në Kosovë, një leksion për shtetin amë

Nga; Ekrem Spahiu

 Zgjedhjet politike në Kosovë – një leksion për shtetin amë

Pati plot pandehma, madje edhe shtytje, nga brenda dhe nga jashtë Kosovës, për të relativizuar e orientuar zgjedhjet e fundit parlamentare të saj. E megjithatë, zgjedhësit e Kosoves e treguan vetë pjekurinë e tyre politike, duke vendosur, me votën e tyre të lirë, që qeveria e ardhëshme të jetë më kolegjale për të vazhduar punën në dobi të Kosoves, duke i prerë rrugën qeverisjes nga vetëm një parti politike.

Kosova, vendi i dytë më i varfër në Europë sipas përllogaritjeve të institucioneve të besueshme europiane, tregoi vlera të pasura standardesh europiane duke zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet në Kosovë ishin model për procesin zgjedhor të mirë-organizuar, fushatën elektorale klasike ku partitë dhe kandidatët shpalosën alternativat e tyre, procesin e votimit dhe numërimit të shpejtë dhe të pakontestueshëm.

Bashkimi Europian ka përshëndetur menjëherë faktin që zgjedhjet parlamentare në Kosovë u zhvilluan në një atmosferë të qetë, në të cilën qytetarët kanë patur mundësi të shprehin lirshëm vullnetin e tyre. Një delegacion i Komisionit për politikë dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, menjëherë pas zgjedhjeve, u shpreh se procesi i zgjedhjeve në Kosovë ishte gjithëpërfshirës dhe paqësor dhe se anëtarët e komisioneve zgjedhore vendore duhet të përgëzohen për bashkëpunimin e tyre kolegjial dhe respektues, duke kapërcyer dallimet politike.

Në Shqipëri, ashtu si edhe në Kosovë, listën e kandidatëve e bën partia apo kryetari, por, në Kosovë, votuesit zgjedhin anëtarët e parlamentit (deputetët) drejtpërdrejt përmes votimit të fshehtë bazuar në listat e hapura. Kjo do të thotë se në Kosovë është qytetari që zgjedh deputetin dhe renditjen e bën votuesi, ndërsa në Shqipëri ende vendosin orekset, parapëlqimet dhe pazarllëqet e politikanëve të partive.

Në Kosovë, vota e diasporës është thjesht pjesë e normalitetit të procesit zgjedhor. Përkundrazi, në Shqipëri, u desh pothuajse një luftë që të arrihej përfshirja në votime e diasporës dhe kjo vetëm duke filluar nga zgjedhjet që presim të zhvillohen më 11 Maj 2025! Për të mos folur që, edhe pse u arrit që diaspora të bëhej pjesë e procesit zgjedhor, stërkëmbëshat për ta penguar nuk kanë të sosur.

Në Kosovë, menjëherë pas zgjedhjeve, brenda 24 orëve përfundon numërimi dhe humbësi njeh humbjen dhe mer përgjegjësitë e humbjes. Ndërsa në Shqipëri, pa mbaruar akoma mirë procesi zgjedhor, fillon avazi i akuzave për vjedhje – një epitet më vete ky që përdoret vetëm në Shqipëri, një shprehje akoma më vulgare sesa vetë tjetërsimi i votës, apo manipulimi i procesit.

Kështu, Kosova, me vetëm pak vite shtet, arriti të bëjë atë që Shqipëria, me mbi 100 vjet shtet, nuk ka arritur ta bëjë: të zhvillojë zgjedhje të lira, të drejta, të ndershme dhe të pranuara nga subjektet konkuruese.

Ja pra, ku e kemi një model për kulturë mbarëkombëtare. Duke vlerësuar dhe zbatuar të tilla modele nga njeri-tjetri, edhe bashkimi kombëtar bëhet një lëndë më e prekëshme për të arritur atë që Shqipëria e ka të detyruar me kushtetutë dhe Kosova e sheh si një ëndërr të përjetshme legjitime.

Në këtë kontekst, zgjedhjet politike në Kosovë dhe mesazhet që na dhanë ishin dhe janë pjesë e vëmendjes dhe vlerësimit të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, për të cilën çështja kombëtare është një nga prirotetet e prioriteteve.


Shtuar 13.02.2025 11:44