Egli Tako reagon pas fshirjes së këngëve: Ne jemi njerëz para se të jemi artistë

Pas fshirjes nga platforma YouTube të projekteve, këngëtarja Egli Tako ka reaguar publikisht përmes një deklarate të sinqertë dhe të qartë për ndjekësit e saj.

Egli sqaron se, ndonëse ka qenë pjesë e projekteve muzikore, ajo nuk është autore dhe nuk mban të drejta mbi to.
Këngët janë hequr përkohësisht nga YouTube për arsye personale të autores, dhe Egli shpjegon se nuk ka ndërhyrë apo reaguar për shkak se nuk ka kontroll mbi projektin.


Ajo thekson se, pavarësisht kësaj, ruan mirëkuptim maksimal ndaj situatës dhe respekton vendimet e palës tjetër.

Në përfundim të reagimit të saj, Egli i falënderon ndjekësit për dashurinë dhe përkrahjen e pandërprerë, duke shtuar se do të vazhdojë e vetme.

Postimi i plotë (pa ndërhyrje):

“Po duhet t’ju jap shpjegim për shkak të gjithë përkrahjes & dashurisë tuaj ndaj meje edhe pse s’jam autore e këtyre dy këngëve dhe s’kam të drejta mbi to.

Unë jam e ftuar në këngë njësoj si DJ Gimi – O. Është një bashkëpunim ku të drejtat e projektit i takojnë autorit i cili e posedon në kanal, në rastin konkret Fifi.

Kënga është hequr për dy ditë nga platforma YouTube, në vendim të autores për shkaqe të sajat ndaj edhe nuk e kam bërë asnjë ndërhyrje apo reagim, pasi nuk janë materiale të miat dhe nuk kam përgjegjësi mbi to.

Sa për dëmtimin e dy artistëve të ftuar në këngë, në rast konkret unë dhe Gimi – O, jemi njerëz dhe me pas artiste, kështu që zgjedh të jem mirëkuptuese!

Muzika mbetet e bukur, ju e keni pëlqyer ndaj dhe bie dakord në aq vendim sa më takon si e ftuar, që këngët të jenë sërish aktive e ju të mund t’i dëgjoni e t’i këndoni.

Sa për aspektin menaxherial, kam vendosur me shumë respekt reciprok me Fifin, të shoh në një spektër më të gjerë, në mënyrë që asnjëra palë të mos ndikojë tek tjetra, për sa kohë të dyja i përkasim të njëjtës fushë. Këndimit.

Në këtë mënyrë, shmangim edhe aludime apo keqkuptime të cilido lloji.

Ju dua shumë dhe gjatë këtij muaji do shihemi ashtu siç ju keni pritur gjithmonë, të më shihni, plot me surpriza të bukura dhe shumë muzikë!

Faleminderit për gjithë dashurinë që më jepni, ju dua shumë”


Shtuar 9.06.2025 16:58

Tags: ,