Egli Tako i bashkohet labelit SBS Entertainment: Një hap i ri dhe shumë i rëndësishëm në karrierën time

Këngëtarja e njohur shqiptare, Egli Tako, ka njoftuar një zhvillim të ri në karrierën e saj muzikore.

Ajo i është bashkuar zyrtarisht labelit SBS Entertainment, i cili do të menaxhojë rrugëtimin e saj artistik në vazhdim.

Lajmin e ka bërë publik përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë emocionet dhe pritshmëritë që e shoqërojnë në këtë etapë të re të jetës së saj profesionale.

Në postimin e saj në Instagram, Egli shkruan: “Jam e lumtur t’ju njoftoj se nga sot, karriera ime muzikore është zyrtarisht nën menaxhimin e labelit SBS Entertainment”.

“Ky është një hap i ri dhe shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tim artistik, dhe mezi pres t’ju sjell projekte të reja, muzikë dhe emocione të forta, gjithmonë me përkushtim dhe dashuri për ju që më keni mbështetur deri tani, që nuk mund t’ua kthej kurrë mjaftueshëm. Faleminderit për besimin dhe që jeni pjesë e këtij rrugëtimi. Ju dua, e juaja, Egli”, tha ndër tjerash.

Ky bashkëpunim i ri pritet të sjellë projekte të freskëta dhe të fuqishme nga artistja, e cila është tashmë një emër i njohur në muzikën shqiptare.

Fansat kanë shprehur mbështetjen e tyre të menjëhershme në komentet e postimit, duke pritur me padurim krijimet e radhës që Egli premton të sjellë me pasion dhe dedikim.


Shtuar 17.06.2025 19:47