Efektivi i policisë kaloi lëndën narkotike në Rinas, Rrezet X e “skanuan” Turqi, çfarë dyshon policia

Detaje të reja janë bërë me dije lidhur me aksionin e finalizuar në Turqi, ku ish-komandoja dhe efektivi i “Rrugores” u arrestuan në Turqi për drogë. Sipas të dhënave të deritanishme, të dy akuzohen për trafikimin e rreth 31 kilogram kanabis, e cila ishte e fshehur në dy valixhe të ndryshme. Kanabisi u transportua në Turqi nga aeroporti i Rinasit drejt aeroportit Sabiha Gökçen të Stambollit. Nuk dihet sesi droga ka kaluar në Rinas, por në aeroportin e Stambollit u zbulua thuajse menjëherë.

Droga u zbulua gjatë kontrollit me rrezes X dhe qenve nuhatës të policisë turke. Më pas, u krye kontrolli i imtësishëm i të gjithë pasagjerëve në avion. Në pranga u vunë Florenc Bicerri, punonjës i policisë rrugore të Tiranës dhe Kujtim Çeliku, një tjetër shqiptar me precedent në vjedhje në Shqipëri. Bicerri ishte larguar më datën 5 tetor dhe nuk ishte paraqitur në punë pas përfundimit të pushimit, ndaj dhe kishte nisur një hetim disiplinor ndaj tij. Pas arrestimit të tij në Turqi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm dhe përgjithmonë, nga Policia e Shtetit.

Ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të zbuluar të implikuar të tjerë në grupin e trafikut të drogës. Përveç Bicerrit dhe Çelikut, është vendosur në pranga dhe Adrian Qirici, por edhe një person tjetër i huaj.


Shtuar 16.10.2022 18:24