E vrau në Malin me Gropa, flet vëllai i Eglantinës: Nuk do ta lija në ferra t’a hanin derrat!

Shkëlzen Buci, i akuzuar për vrasjen e motrës së tij Eglantina Buci, krim që u zbardh në Shtator 2020, ka folur për herë të parë nga qelia.

Në një lidhje telefonike për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, Shkëlzen Buci është pyetur se çfarë lidhje ka me vrasjen e motrës së tij.

Ai ka mohuar këto akuza dhe thotë se faktet janë manipuluar nga dëshmitari i penduar i drejtësisë Miklar Tola, që dikur ka qenë edhe shoku i tij.

Spartak Koka: Çfarë lidhje keni ju drejtpërdrejt me vrasjen e Eglantinës?

Shkëlzen Buci: Për mua kjo ka qenë një akuzë shumë e rëndë dhe një diçka përtej çdo limiti njerëzor dhe përtej çdo mendje djallëzore. Dora gjakatare e narkomanit Miklar Tolës…. duke manipuluar dhe ndryshuar faktet që ndodhen në dosje, dizinformimin e opinionit publik duke ndryshuar autorësinë e krimit sepse këtu në vendin tonë nuk lexohen provat dhe faktet sipas realitetit, por sipas forcës dhe influencës së individid.

Spartak Koka: Kush janë provat në rastin tuaj?

Shkëlzën Buci: Të gjitha ato çfarë thuhen në dosje, të gjitha ato çfarë ai ka bërë publike dhe çfarë ai ka shkruar në dosje që nuk kanë rakordim me njëra-tjetrën, unë e sfidoj publikisht z.Miklar Tola dhe gjithë personat që fshihen pas kësaj çështje, që në seancat gjyqësore dhe më tej dua të gjithë dëshmitarët që përmenden në ngjarje, të gjitha çka ai i trillon nga fillimi deri në fund në lidhje me çështjen dhe ekzekutimin e kësaj vepre makabre penale.

Ime motër është larguar nga banesa në vitin 2008. Dhe ka parë jetën e vetë në mënyrë siç ajo e ka zgjedhur vetë, formën dhe përmbajtjen e jetes së vetë. Unë jam askushi për t’ia diktuar as në atë kohë, as sot dhe as kurrë.

Nuk mundet kurrën e kurrës për çfarëdo lloj arsyeje, çfarëdo lloj krimi, për çfarëdo lloj që të ketë bërë personi i familjes, minimalisht deklaroj publikisht motrën time nuk do e lija në ferra që ta hanin derrat edhe qentë e Malit me Gropa. Gjënë më minimale, sikur të isha superkrimineli i kriminelëve, motra ime nuk do të rrinte në ferra që ta hanin derrat dhe qentë. Por minimalisht një varrim do t’ia kisha bërë. /tv klan


Shtuar 8.06.2021 15:56