Poli Boriçi, 52 vjeç, i arrestuar për tentativën e atentatit në Elbasan, u ka thënë hetuesve se sulmi ndaj Ermir Kërtezit lidhej me hakmarrjen për vëllain e tij.
Sipas dëshmisë së dhënë prej tij, 50-vjeçari Kërtezi e kishte plagosur të vëllanë rreth 15 vite më parë. Boriçi ka pretenduar se plagosja kishte sjellë pasoja të rënda për të, deri në paralizim.
Të lidhura
None found
Ky pretendim po verifikohet nga organi i akuzës, i cili po heton konfliktin e hershëm mes dy familjeve dhe nëse ai ka shërbyer si motiv për organizimin e sulmit.
Një tjetër version ka dhënë vetë Ermir Kërtezi, i cili ishte objektivi i atentatit. Ai ka deklaruar se marrëdhëniet me Boriçin dhe familjen e tij ishin normalizuar prej vitesh, ndërsa dy familjet jetonin pranë njëra-tjetrës dhe nuk kishin pasur konflikte gjatë rreth 15 viteve të fundit.
Hetuesit po përpiqen të sqarojnë të gjithë dinamikën e ngjarjes, përfshirë motivin dhe mënyrën e organizimit të tentativës për sulm.
Arrestimi i Boriçit u bë pas ndërhyrjes së shpejtë të Policisë. Ngjarja shkaktoi tronditje në Elbasan, pasi 50-vjeçari Kërtezi u vu në shënjestër, por atentati nuk shkaktoi viktima.
Procedurat hetimore vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive penale.
