Tragjedi në Vjenë/ Shemben skelat në një kantier ndërtimi në Vjenë, humbin jetën 4 persona, tre prej tyre shqiptarë nga Kosova

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në në Vjenë të Austrisë, katër persona, tre prej të cilëve shqiptarë nga Kosova, kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti në një kantier ndërtimi, raportojnë mediat vendase.

Sipas ambasadës së Kosovës, aksidenti është shënuar në distriktin Alsergrund, ku një pjesë e skelave është shembur duke zënë punëtorët.

Viktimë kanë mbetur Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj. Ndërsa viktima e katërt është nga Bosnje-Hercegovina. Një tjetër që ka mbetur i plagosur raportohet se është nga Maqedonia e Veriut.

Ambasada e Kosovës në Austri, tha se është në kontakt me autoritetet austriake dhe me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të koordinuar procedurat e mëtejme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi për ngjarjen, duke theksuar se institucionet janë në koordinim për t’u ardhur në ndihmë familjeve të viktimave.

“Na ka tronditur thellësisht lajmi për vdekjen tragjike të disa personave në Austri. Sipas informacioneve zyrtare nga Ambasada jonë atje, tre prej tyre janë identifikuar si qytetarë të Republikës së Kosovës. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe. Qeveria e Republikës së Kosovës është në komunikim të ngushtë me Ambasadën tonë në Vjenë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme”, ka shkruar Kurti.