Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të diel në komunën e Klinës, ku është gjetur trupi i pajetë i një gruaje në lumin Lumbardh.
Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës.
Sipas zëdhënësit të policisë, trupi është lokalizuar rreth orës 13:30 në fshatin Grabanicë. Viktima është gjetur rreth 13 kilometra larg urës së fshatit dhe vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendngjarje.
Policia ka njoftuar gjithashtu se familjarët e gruas e kishin raportuar zhdukjen e saj mbrëmjen e së shtunës, pasi ajo ishte larguar nga shtëpia dhe nuk kishin informacion për vendndodhjen e saj.
Hetimet për rastin po vazhdojnë, ndërsa priten rezultatet e autopsisë për të përcaktuar rrethanat e vdekjes.
