E reklamojnë të gjithë vip-at, “Piranjat” demaskojnë çajin e famshëm të dobësimit, zbulohet skema e mashtrimit

Në emisionin e sotëm “Piranjat” të moderuar nga Florian Binaj dhe Arilena Ara në Abc u demaskua skema e mashtrimit të çajit të famshëm të dobësimit “Açai One”.

Nga investigimi i bërë nga gazetarët e “Piranjave” rezultoi se çaji i dobësimit që reklamohet aq shumë nga vip-at shqiptarë është një gënjeshtër.

Këtë e pranoi në kamerën e fshehtë edhe pronari i kompanisë që tregton Açai One në Shqipëri, Klajdi Hoxha.

“Ne nuk presim dot kupon tatimor deri në momentin që ti nuk merr pakon sepse se nuk arkëtojmë lekë, ne bëjmë shitje online. Açai është mbarim, Açai ka vdek. Është jashtë tregut, nuk ka më. Ne nuk shesim më Açai One. Açai One është ca ka ngel kthime”, tha pronari i Açai One në kamerën e fshehtë te “Piranjat”.

Në këtë mënyrë Hoxha pranon se ka gënjyer edhe për efektet e dobësimit të produktit.

“Piranjat” kanë konstatuar se në kutinë e ambalazhit tëAçai One pavarësisht fletëpalosjes që është në shqip vërehet se mënyra e përdorimit të pilulës nuk është përkthyer në shqip.

“Suplement ushqimor. Merrni 1 ose 2 kapsula çdo ditë me pak ujë. Për rezultate sa më të mira merren me stomak bosh. Kapsula përmban 200 mg, e barabartë me 2000 mg frut të thatë açai.”

Asnjë nga këto informacione nuk gjendet në fletëpalosjen e produktit që tregtohet në Shqipëri.

Nga dëshmitë e vip-ave shqiptarë, njerëzit mendojnë me të drejtë se ky produkt është i duhuri. Por realiteti është krejt tjetër.

Piranjat zbuluan gjithashtu se aktiviteti tregtar i drejtuar nga Klajdi Hoxha rezulton të jetë i pezulluar që nga 21 nëntori i 2021-it.

Por, pavarësisht kësaj shitjet vazhdojnë çdo ditë në shkelje të rëndë të ligjeve të shtetit.

“Piranjat” shkuan në Barcelonë për të zbuluar më shumë rreth kësaj kompanie.

Por Luminesem nuk ekziston në adresën e publikuar në Shqipëri. Në vend të kompanisë “Piranjat” gjetën një dyqan të pastrimit kimik.

Pas orë kërkimesh “Piranjat” gjetën një pikë tregtimi të pilulave, por të ndryshëm nga ambalazhi në Shqipëri.

Për më shumë shikoni videon.


Shtuar 17.05.2022 23:00