Detaje të reja bëhen me dije nga ngjarja e rëndë në Shkodër, ku një nënë 32-vjeçare hodhi foshnjën e saj në lumin Kir.
Djali kishte ardhur në jetë me 30 Dhjetor dhe ajo e ka regjistruar në maternitetin e Shkodrës pa atësi. Nga të dhënat paraprake, Orjana Gremi nuk rezulton me probleme të shëndetit mendor.
Të lidhura
None found
Mjeku Sajmir Selmanaj ka treguar se 32 vjeçarja është dërguar nga kolegët e punës në spital dhe se kanë qenë ata që e kanë bindur që të mos e lindte fëmijën në jetimore.
“Me datë 30 dhjetor 2022 është sjellë nga kolegët e punës në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës ku nuk ka treguar se cili është shqetësimi i saj deri në momentin e shpërthimit të ujërave. Është sjellë në repartin e Gjinekologjisë dhe ka qenë e vetme. Që në momentin e parë, kemi pasur frikë se do ta linte fëmijën në maternitet.
Kemi njoftuar policinë dhe psikologun dhe gjatë gjithë kohës është asistuar nga psikologu. Lindja e saj ka qenë me datë 30 rreth orës 11. Lindja e saj ka qenë normale dhe pa asnjë problem shëndetësor. Kanë ardhur kolegët e punës ku ajo ka punuar në një fabrikë këpucësh, të cilët i kanë sjellë dhurata dhe lekë dhe e kanë bindur që të mos e linte fëmijën në jetimore por ta mbante.
Me datë 4 ajo ka bërë daljen nga spital ku pasi ka kryer të gjitha procedurat ka marrë dhe çekun e bonusit të fëmijës të firmosur. Është larguar me taksi nga spitali dhe nga ai moment nuk dimë gjë më tepër. Dimë se nuk ka dashur të tregonte emrin e babait të fëmijës. Ndërsa sa i përket gjendjes shëndetësore të saj dhe të foshnjës gjatë gjithë kohës ka qenë e mirë“, ka thënë mjeku.
