E quajnë veten “nxënës e studentë”, kush janë në të vërtetë talibanët? (FOTO LAJM)

Grupi radikal-islamist e mori pushtetin në Afganistan. Një vështrim mbi historinë dhe strukturën drejtuese të talibanëve. Çfarë pritet pas rikthimit të tyre në pushtet?

Konferenca e parë e shtypit e talibanëve pas marrjes së pushtetit në Kabul, në qendër zëdhënësi Sabiullah Mudshahid

Konferenca e parë e shtypit e talibanëve pas marrjes së pushtetit në Kabul, në qendër zëdhënësi Sabiullah Mudshahid.

Ata e quajnë veten “nxënës dhe studentë”, këtë do të thotë fjalë për fjalë “taliban”, që është forma e shumësit në gjuhën pashtu e fjalës me origjinë nga arabishtja “talib”.

Shumë nga talibanët kanë qenë në vitet 90-të në shkollat në Afganistan dhe Pakistan, ku është predikuar varianti ekstremist i islamit sunit.

Ndërkohë askush nuk mendon më për burra e gra të ulur para librit, kur përmendet fjala taliban.

Talibanët lidhen sot me terrorin dhe shkatërrimin. Pas rikthimit në pushtet të tyre pak ditë më parë, qindra civilë erdhën në aeroportin e Kabulit për t’i ikur sundimit të tyre.

Në këtë analizë të DË-s, nocioni “taliban” lidhet vetëm me talibanët afganë, jo me ata në anën tjetër të vendit, në Pakistan.

Pra kush është ky grup militant-islamist, që shkakton kaq frikë brenda dhe jashtë Afganistanit?

Talibanët janë të organizuar me një hierarki të qartë. Kreu i tyre është nga viti 2106 Mavlavi Haibatullah Ashundsada. Kleriku i lartë islamik është autoriteti më i rëndësishëm në të gjitha çështjet politike, ushtarake dhe fetare.

Ai mbështetet nga tre të deleguar dhe disa ministra që janë përgjegjës për ekonominë, ushtrinë dhe shërbimet sekrete. Instanca më e lartë këshilluese është “Rahbari Shura” me 26 anëtarë. Përfaqësia ndërkombëtare e talibanëve gjendet në Doha, kryeqyteti i Katarit dhe drejtohet nga bashkëthemeluesi i talibanëve, Mullah Abdul Ghani. Përfaqësues nga ky grup morën pjesë në bisedimet e paqes me SHBA, të dejtuara nga mullahu Abdul Hakim.

Organizata radikal-islamiste fiton shumë me eksportimin e opiumit dhe heroinës. Sipas vlerësimeve të OKB-së, talibanët kanë fituar vetëm në vitet 2018-2019 rreth 400 milionë dollarë nga shitja ilegale e drogës. Kjo përbën rreth 60% të të ardhurave të grupit terrorist. Në një analizë të ekspertit të politikës, Hanif Sufizada nga Qendra për Studimet e Afganistanit” përmenden edhe burime të tjera të të ardhurave. Këtu bëjnë pjesë donacionet, tatimet dhe shfrytëzimi i lëndëve të para. Disa vende ofrojnë me gjasë pagesa direkte tek talibanët.

Eksperti gjerman, Guido Steinberg nga Instituti për Shkencën dhe Politikën në Berlin shprehet, se “talibanët kanë dy aleatë”.

“Partneri më i rëndësishëm është Pakistani. Aleati i dytë është Irani.” Gardat e revolucionit të Iranit i kanë mbështetur talibanët në vitet e shkuara për të goditur SHBA.

Historia e talibanëve filloi me luftën kundër pushtuesve sovjetikë në vend. Bashkimi Sovjetik e pushtoi Afganistanin në vitin 1979.

Regjimi i mbështetur nga Moska në Kabul u luftua nga të ashtuquajturit muxhahedin, që mbështeteshin nga ana e tyre nga SHBA, Pakistani dhe Arabia Saudite. Në vitin 1989 trupat sovjetike u tërhoqën. Talibanët e themeluar në vitin 1994 nga mullahu Mohamed Omar shpallën se do të vendosnin paqen, sigurinë dhe rregullin në vendin e drobitur nga lufta civile mes lordëve dhe do ta shpëtonin atë nga kriminelët.

Lëvizja e talibanëve e mbështetur nga Pakistani filloi të përhapej dhe ata pushtuan disa qytete dhe provinca. Mes afganëve luftëtarët talibanë asokohe ishin të popullarizuar, sepse luftonin korrupsionin, dhe në zonat, ku ata kishin pushtetin kujdeseshin që tregtarët të hapnin sërish dyqanet.

Më 27 shtator 1996 talibanët marshuan në Kabul dhe shpallën emiratin islamik të Afganistanit. Dy vite më vonë ata kontrollonin 90% të territorit të vendit.

Nën sundimin e talibanëve janë kryer shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, sidomos ato të grave dhe vajzave. Islamistët vendosën sundimin e sheriatit dhe i qëndruan besnik interpretimit radikal të fesë. Sipas këtij interpretimi vajzave pas moshës 10 vjeç nuk i lejohet më të shkojnë në shkollë. Gratë duhet të mbajnë një veshje që mbulon tërësisht trupin, burkën dhe nuk duhet të dalin nga shtëpia pa shoqërinë e një mashkulli.

Nëse gratë ngasin makinën rrezikohen nga dënimi me vdekje. Hajdutëve u priten duart, vrasësve dhe atyre që shkelin kurorën martesore i kërcënon ekzekutimi publik. Televizioni, radioja, muzika dhe kinemaja janë në tërësi të ndaluara.

Ekspertët paralajmërojnë, se interpretimi ideologjik i talibanëve nuk ka ndryshuar në këto 20 vjet. “Raportime nga Kandahari dhe rajonet që janë pushtuar që prej disa javësh nga talibanët nuk janë aspak premtuese”, thotë ekspertja amerikane për Afganistanin, Jessica Berlin në bisedë me DË. “Ne nuk kemi asnjë arsye të besojmë, se talibanët do të veprojnë më me humanizëm.”

Bashkësia ndërkombëtare rregullisht e dënonte shkeljen e të drejtave të njeriut në Afganistan nën sundimin e tyre në vitet 90. Por ndërhyrja ushtarake u krye vetëm pas atentateve terroriste të 11 shtatorit në Ëorld Trade Center me mijëra viktima. Terroristi përgjegjës për sulmet kundër SHBA, Osama bin Laden, kreu i rrjetit të Al-Kaidas kishte gjetur në Afganistan një strehë të sigurtë.

Kur talibanët refuzuan të ekstradonin bin Ladenin, në tetor 2001 SHBA filluan pushtimin e Afganistanit. Në maj të viti 2011 bin Laden u ekzekutua nga forcat amerikane në Pakistan.

Bisedimet e para direkte mes SHBA dhe talibanëve filluan në vitin 2018, pa pjesëmarrjen e qeverisë afgane. Në vitin 2020 pati bisedime direkte mes talibanëve dhe qeverisë afgane, që u ndërprenë shpejt.

Në prill të vitit 2021, presidenti amerikan, Joe Biden bëri të ditur tërheqjen e trupave amerikane dhe atyre të NATO-s nga Afganistani deri më 11 shtator 2021. Kritikët u shprehën me shqetësim për këtë tërheqje të shpejtë, sepse i trembeshin situatës kaotike dhe rrëzimit të qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike. Një vlerësim që u bë këto ditë realitet./ DW


Shtuar 18.08.2021 16:06