DËSHMIA/ Si 48-vjeçari mashtroi dhe mori peng për 4 orë punonjësen e Bashkisë Klos: Më tha do të çoj në shtëpi

“Hajde me mua, të çoj unë në shtëpi. Sapo bëri nja 100 metra ndërroi rrugë dhe u nis në drejtim të Bulqizës. I thashë ta ndalte makinën dhe të zbrisja, por ai nuk pranoi…”

Janë zbardhur detaje të reja nga pengmarrja në Klos ku një 33-vjeçare është rrëmbyer dhe mbajtur peng për disa orë.

Davide Merzira ka mashtruar punonjësen e Bashkisë Klos, L. M, 33-vjeçe, banore e fshatit Bejn, duke i premtuar se do ta dërgonte në fshat.

Mirëpo, pa kaluar disa metra, Merzira ka ndërruar rrugë dhe ka udhëtuar drejt fshatit Klos Katund. Pas afro 4 orësh, punonjësja e Bashkisë ka mundur të njoftojë familjen se ishte rrëmbyer, duke treguar edhe vendndodhjen.

Babai i Matës ka mbërritur në Polici dhe ka kërkuar ndihmë për gjetjen e vajzës. Efektivët e Policisë kanë mbërritur në Klos Katund dhe kanë gjetur 33-vjeçaren në makinën e D. Merzirës.

“Rreth orës 16.00 isha pranë xhamisë së Klosit, në anë të rrugës. Erdhi D. Merzira, ndaloi te këmbët e mija dhe më tha: Hajde me mua, të çoj unë në shtëpi. Sapo bëri nja 100 metra ndërroi rrugë dhe u nis në drejtim të Bulqizës. I thashë ta ndalte makinën dhe të zbrisja, por ai nuk pranoi. Pas afro 4 orësh arrita t’i dërgoj një mesazh babait”, i tha Policisë e reja e rrëmbyer.

 


Shtuar 8.07.2021 15:50