“E kam mike, asgjë tjetër”, Redjan Rraja dëshmon për “Audin” në pronësi të Kejvina Kthellës: S’ia kam blerë unë!

Redjan Rraja, i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja, te mbikalimi i Shkozetit, ka dëshmuar sot në Gjykatën e Posaçme.

Ai mohoi të ketë lidhje me automjetin “Audi” , që SPAK i ka sekuestruar Kejvina Kthellës.

“Kam pasur marrëdhënie miqësie ne Kthjellen, por asgjë tjetër. Ajo makinë ka qenë më emër mbiemër të saj. Unë nuk kam lidhje fare. Është objekt që është i saj. Nuk e di kur është blerë. Në mënyrë absolute nuk kam kontribuar në blerjen e këtij mjeti”, tha Rraja.

Në lidhje me të ardhurat e tij, Rraja tha se kishte tre klinika stomatologjike dhe se siguronte deri ne 200 mln lekë të vjetër.

“Asnjëherë nuk kam shpenzuar më shumë se fitimet e mia”, tha ai.

Që në tetorin e kaluar Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që të konfiskoje pasuritë e sekuestruara në vitin 2021 të Redjan Rrajës, i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. Mes pasurive të sekuestruara është edhe një makinë e cila ishte në përdorim të modeles Kejvina Kthella. Ndër të tjera SPAK kërkon që shtetit t’i kalojnë 1 apartamenti, 2 garazhe, 2 makina, dy pasuri truall me sipërfaqe 30 m2 dhe 127.5 m2, një orë ‘Rolex’ dhe si dhe 2750 euro.

Redjan Rraja është në burg lidhur me atentatin në vitin 2019 ndaj ish- prokurorit Arjan Ndoja, ku akuzohet për vrasje, armëmbajtje pa leje, grup kriminal, vjedhje dhe kryerja e veprave penale si grup kriminal.  Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit./Albeu.com/

 


Shtuar 30.05.2023 13:12