Nga Lawrence Freedman “New Statesman”
Më 23 shkurt 1942, në cilësinë e Komisarit të Mbrojtjes Popullore dhe si Kryetar i Komitetit Shtetëror të Mbrojtjes të Bashkimit Sovjetik, Stalini publikoi “urdhrin e tij të ditës”. Kjo gati 80 vjet, para se Vladimir Putin të niste luftën e tij kundër Ukrainës. Urdhri i Stalinit i drejtohej “shokëve, burrave të Ushtrisë së Kuqe dhe Marinës së Kuqe, komandantëve dhe punonjësve politikë, guerrilasve dhe grave”.
“Tetë muaj më parë, Gjermania fashiste sulmoi pabesisht vendin tonë, duke shkelur në mënyrë brutale Paktin e Mossulmimit. Armiku, priti që Ushtria e Kuqe të shpartallohej dhe të humbiste aftësinë për të rezistuar që në goditjen e parë. Por armiku i ka bërë llogaritë gabim”- shkruante ndër të tjera ai.
Për shkak të sulmit të papritur, “Ushtria e Kuqe u detyrua të tërhiqej, dhe të evakuonte një pjesë të territorit tonë”, dhe në këtë mënyrë ajo “i lodhi forcat armike, dhe u dha goditje të rënda”. Pastaj, ndërsa lufta përparonte, ajo ishte në gjendje të ripërtërihej dhe të fitonte forcë.
Në veçanti, Stalini theksoi se ”ushtria sovjetike i mposhti trupat fashiste gjermane, që kërcënuan të rrethonin kryeqytetin sovjetik”. Me zbehjen e sulmeve fillestare të ushtrisë gjermane, mbërriti një moment i rëndësishëm për mbrojtësit. “Tani gjermanët nuk zotërojnë më avantazhin ushtarak që kishin në muajt e parë të luftës, për shkak të sulmit të tyre të pabesë dhe të papritur”- theksohej më tej në deklaratë.Vlas
Ajo çoi në atë që propaganduesit sovjetikë e cilësuan shumë shpejt si kontributin e madh e Stalinit në mendimin strategjik të luftës:“Kështu është zhdukur pabarazia në kushtet në të cilat zhvillohet lufta, e krijuar fillimisht nga sulmi i papritur i fashistëve gjermanë. Tani e tutje fati i luftës nuk do të vendoset nga një faktor i tillë dytësor siç është befasia, por nga faktorë të tillë që veprojnë vazhdimisht si forca e prapavijës, morali i ushtrisë, sasia dhe cilësia e divizioneve, armatimi i ushtrisë, dhe aftësitë organizative të komandantëve të ushtrisë”.
Si një marksist-leninist, Stalini u përpoq ta paraqiste luftën si një garë midis sistemeve konkurruese socio-ekonomike, gjë që do të thoshte se në fund do të dilnin në pah pikat e forta dhe të dobëta të tyre. Kjo është arsyeja pse përmendi në fillim “forcat e prapavijës”, më pas “moralin e ushtrisë”, përpara se të kalonte tek aftësitë ushtarake më themelore.
Për shkak se këta faktorë që veprojnë vazhdimisht, do të përcaktojnë në fund rezultatin e luftës, faktorë të tjerë si befasia mund të shpërfillen si mjete me një rëndësi të përkohshme. Ajo kishte avantazhin shtesë të shmangies së vëmendjes nga dështimi për të dëgjuar paralajmërimet e shumta që i ishin dërguar Stalinit për një pushtim të afërt nga Gjermania.
Triumfi i sovjetikëve në atë luftë, bëri që mendimet e Stalinit të shndërroheshin në një aplikim gjenial të mendimit shkencor, të cilën nuk guxoi ta kundërshtonte asnjë gjeneral. Vetëm pas vdekjes së tij në vitin 1953, teoricienët ushtarakë sovjetikë nisën të thonë se në epokën bërthamore, mund të mos ishte shumë e mençur të hidhej poshtë rëndësia e befasisë.
Por nëse e përditëson gjuhën e Stalinit, duke e pastruar disi nga toni bombastik, ai fillon të ngjajë me përshkrimin që bëri presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbi situatën strategjike të vendit të tij. Gjashtë muaj më parë, Ukraina u kap ne befasi nga një sulm rus, dhe në fillim u detyrua të lëshonte një pjesë të territorit, edhe pse e goditi armikun duke i shkaktuar dëme të mëdha.
Zelensky ashtu si Stalini, i hodhi poshtë paralajmërimet e hershme nga SHBA dhe të tjerët për një sulm të afërt rus. Fatmirësisht, në vitin 2022, ashtu si në vitin 1941, agresori nuk mundi të përfitonte plotësisht nga befasia. Kjo u konfirmua nga dështimi i Rusisë për të pushtuar kryeqytetin e Ukrainës Kiev, si gjermanët që nuk arritën të merrnin Moskën. Ndërsa ofensiva aktuale e Rusisë po shuhet dalëngadalë, iniciativa po zhvendoset në mënyrë të qëndrueshme tek Ukraina, duke bërë që forcat e saj, dhe epërsia e sistemit të saj social të diktojnë rrjedhën e luftës. Morali i trupave ruse është i dobët. Shumica e avantazheve të tyre kanë humbur si pasojë e ofensivave zhgënjyese.
Moska ka shumë probleme me “forcën e pjesës së pasme të frontit”. Putin përmend vazhdimisht Luftën e Madhe Patriotike (pra luftën Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore) si një burim frymëzimi dhe udhëzimi, ndërsa ka nxitur rehabilitimin e pjesshëm të Stalinit si një udhëheqës të “shkëlqyer”, pavarësisht terrorit dhe masakrave që shkaktoi ky i fundit.
Putinit i vjen keq që Stalini është “shumë i demonizuar“. Prandaj mund të pritej që lideri aktual rus të ishte i vetëdijshëm ndaj mundësisë që një sulm i befasishëm, të mos ishte dhe aq vendimtar sa ai shpresonte, dhe se sapo kjo luftë të shndërrohej në një garë midis dy sistemeve shoqërore – sidomos përballë një armiku të mbështetur nga Perëndimi -“operacioni i tij special ushtarak” mund të mos dilte aq mirë.
Optimizmi fillestar i Putinit mbi brishtësinë e shoqërisë ukrainase, u përforcua nga agjencitë e tij të spiunazhit, të cilat ishin në ankth për të kënaqur sa më shumë shefin e tyre, edhe pse sondazhet e tyre të fshehta treguan se sa shumë pak ukrainas do ta shihnin si çlirim një pushtim të rusëve.
Rrjedhimisht, ai përsëriti marrëzinë e Hitlerit në vitin 1941 kur deklaroi me mendjemadhësi:”Mjafton që ne ta godasim me shkelm derën e përparme, dhe e gjithë ngrehina e kalbur ruse do të shembet në çast!”. Tani Putin mund të mendojë edhe për shqetësimin e paraardhësit të tij mbi “forcën në prapavijë”.
Para luftës, Stalini përdori një propagandë të pamëshirshme dhe komisarët politikë për të siguruar konformitetin ideologjik në ushtrinë sovjetike, ndërsa denoncimet, gjyqet farsë, rrëfimet e detyruara dhe spastrimet e gjera, penguan çdo formim të opozitës. Agjentët e tij mund të vepronin vetëm me rrezikun e damkosjes si tradhtarë.
Eleminimi i shumë i komandantëve të lartë ushtarakë, ishte një arsye e optimizmit të Hitlerit për një kolaps të mundshëm të Rusisë. Por kur erdhi lufta, Stalini dinte sesi ta shfrytëzonte ndjenjën popullore për ta bërë atë një luftë për mbrojtjen e atdheut dhe jo për komunizmin.
Ai u ndihmua nga përbuzja dhe brutaliteti i nazistëve ndaj të gjithë sllavëve. Prandaj Gjermania e humbi mundësinë për të përçarë dhe sunduar. Ukraina e nisi luftën aktuale e bashkuar, por brutaliteti rus ka konfirmuar vendosmërinë e saj për të mposhtur agresionin. Zelensky nuk ka nevojë të shqetësohet për mbështetjen popullore për luftën. Përkundrazi, është Moska ajo që duhet të shqetësohet për “forcat në prapavijë”, pasi në Rusi po shtohen shumë dyshimet mbi luftën dhe pasojat e saj.
Ashtu si me shumë gjëra të tjera në Rusinë e Putinit, çdo shtysë për të imituar Stalinin komprometohet nga paaftësia e vetë shtetit, korrupsioni, rivalitetet e brendshme dhe pasiguria për atë që publiku mendon realisht. Për momentin ai ka shtypur me dhunë çdo kundërshtim të mundshëm nga teknokratët dhe të moderuarit, që të gjithë të heshtur, burgosur apo internuar.
Një nga figurat e fundit të shquara të opozitës, ish-kryetari i bashkisë së Jekaterinburg, Yevgeny Roizman, është arrestuar për “diskreditim të forcave të armatosura”. Por problemin Putini e ka më shumë me ultra-nacionalistët, të cilët ankohen se lideri i tyre ka pasur idetë e duhura, por jo mizorinë e nevojshme për t’i zbatuar ato.
Një nga këta ultra-nacionalistë është Aleksandr Dugin, promovues i një nacionalizmi rus të shfrenuar, i njohur për teoritë e tij të çmendura gjeopolitike. Të shtunën e 20 gushtit e bija e tij Darya, që vetë nuk ishte propagandiste, u hodh në erë nga një makinë bombë, duke shkaktuar shumë spekulime se kush ishte përgjegjës, dhe nëse objektivi real ishte babai i saj.
FSB, agjencia kryesore e sigurisë e Rusisë dhe pasardhësja e KGB-së, doli me një fajtore të përshtatshme, Natalia Vovk, duke e lidhur gruan me Estoninë dhe Batalionit ukrainas Azov. Ajo ishte në Moskë bashkë me fëmijën 12-vjeçar. Por nuk është dhënë asnjë provë e fortë që e lidh atë me atentatin.
Ka mundësi që vrasja e Duginës të jetë një tjetër inskenim i Moskës, për të justifikuar përshkallëzimin e luftës dhe një sulm ndaj qendrave të vendimmarrjes në Kiev. Në Moskë besohet se pretekstet janë shumë të rëndësishme. Nëse s’ka një të tillë, atëherë ai duhet të fabrikohet. /abcnews.al