E dhimbshme! Priti të takonte për herë të fundit të birin që u kthye nga emigracioni dhe më pas i dha fund jetës!

Një profil me fotot e saj kanë bërë xhiron në rrjetet sociale. Imazhet denigruese ndaj saj janë publikuar në “Tik Tok” dhe më pas janë përhapur në të gjitha rrjetet. Pasi nuk ka parë rrugë tjetër, ajo kishte bërë kallëzim penal në polici, madje edhe me dyshimet përkatëse, por askush nuk ia ka vënë ‘veshin’.

Më pas ka pritur të shohë të birin, për natën e ndërrimit të viteve dhe ka vendosur t’i japë fund jetës. Ky ishte fati i përcaktuar nga persona që kanë kryer aktin e shpërndarjes së fotove denigruese të një nëne të katër fëmijëve, vetëm 41 vjeç, e cila pasi nuk përballoi dot fyerjet masive, konsumoi fotoksinë dhe ndërroi jetë më 2 janar!

Ngjarja e rëndë u raportua thjesht me anë të një informacioni paraprak, pa asnjë të dhënë tjetër, përveç kryerjes së aktit nga vetë viktima, e vetëm ditën e djeshme, pasi ngjarja u raportua nga persona që ishin në dijeni të tragjedisë në familjen L., policia reagoi duke dhënë fakte më shumë shfajësimi se sa sqarimi.

Gruaja i ka dhënë fund jetës pasi nuk ka mundur të përballojë skandalin në rrjetin social “Tik Tok”, ku sipas të dhënave konfidenciale, një foto e saj ka shkuar rreth 40 mijë klikime, duke e bërë të pamundur daljen e saj nga shtëpia.

Gjithnjë sipas këtyre burimeve mësohet se edhe në punë gruaja është përfolur e përqeshur për fotot dhe profilin e saj, ndërkohë që policia ka pranuar se gruaja ka denoncuar rastin që në dhjetorin e vitit 2022, por meqë nuk ka shfaqur shqetësime më, nuk kanë kërkuar të gjejnë personin që kishte në përdorim adresë me emrin e saj. Madje as nuk kanë kërkuar, ndërkohë që policia e Durrësit mbrëmë bëri me dije se e kishte referuar rastin në prokurori, por as njëra dhe as tjetra nuk kishin marrë masa as të bllokohej adresa, jo më të gjendej personi.

Dyshimet e para mësohet se bien mbi njerëz të afërt me viktimën, ndërsa mësohet se tashmë po hetohet në një sërë pistash që kanë çuar dhe dhënien fund të jetës së vet të nënës së 4 fëmijëve. Policia e Durrësit sqaroi mbrëmë pozicionin e saj në këtë ngjarje, duke thënë se kishte punuar për zbardhjen e ngjarjes, por nuk kishte parë shqetësime më tek denoncuesja! Bashkëshorti dhe i biri kanë thënë pak fjalë për mediat lokale mbrëmë, ndërkohë ende nuk dihet nëse janë marrë në pyetje në kuadër të hetimeve që pretendon policia se ka nisur që në dhjetor kur është kryer denoncimi i saj.

REAGON POLICIA E DURRËSIT

Mbrëmë ka reaguar Policia e Durrësit lidhur me ngjarjen e rëndë të identifikuar në një fshat të këtij rrethi, ku nëna e 4 fëmijëve i dha fund jetës pasi figura e saj u denigrua në rrjetet sociale përmes një adrese false me emrin e saj. Përmes njoftimit, policia konfirmon se denoncimi është bërë në dhjetor nuk ishte marrë asnjë masë për mbylljen e profilit fals, i cili i mori jetën 41- vjeçares më 2 janar.

Policia ia kalon topin prokurorisë duke thënë se materialet ia ka kaluar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa sqaron se pas këtij kallëzimi, nuk ka pasur asnjë kallëzim apo shqetësim nga shtetasja B. L, për këtë rast. Po kështu nuk ka pasur një njoftim zyrtar të plotë të lidhur me këtë ngjarje deri ditën e djeshme kur sërish nga rrjetet sociale tragjedia në familjen L., me origjinë nga Dibra, u bë publike ngjarja. Policia e Durrësit tha:

“Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për një shtetase që ka humbur jetën pasi dyshohet se ka konsumuar fotoksinë, për shkak të bullizmit, ju sqarojmë se: Më datë 02.01.2024, në orën 16:30, jemi njoftuar nga shërbimet e spitalit se shtetasja B. L., 41 vjeçe, që dyshohej se kishte konsumuar lëndë helmuese fotoksinë, edhe pse kishte marrë ndihmë mjekësore, nuk kishte mundur të jetonte.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka kryer të gjitha veprimet me grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë dhe materialet janë referuar në Prokurori. Sqarojmë se në dhjetor të vitit 2022, shtetasja B. L. ka bërë kallëzim se në rrjetet sociale ishte hapur një adresë false me emrin e saj. Për kallëzimin e bërë në dhjetor 2022, policia ka kryer të gjitha veprimet dhe i ka referuar materialet në Prokurori dhe çështja është në hetim në Prokurori.

Pas këtij kallëzimi nuk ka pasur asnjë kallëzim apo shqetësim nga shtetasja B. L, për këtë rast. Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. Ndërkohë që vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që kanë keqpërdorur të dhënat e shtetases B.L.!

DËSHMIA E BASHKËSHORTIT

Zbardhet dëshmia e bashkëshortit të 41- vjeeçares që vrau veten duke konsumuar fostoksinë, më 2 janar. Ai ka thënë se ajo ishte tepër e shqetësuar për profilin që i kishin hapur, ku e fyenin dhe ofendonin. Sipas tij, një vit më parë ajo ka bërë denoncim për këtë adresë në polici, por duket se nuk ishte marrë asnjë masë.

“27 dhjetor kam mbërritur në Shqipëri. Gruaja ka pasur stres dhe ankth kohët e fundit, mund të ketë kryer këtë veprim si pasojë, pasi rreth një vit më parë persona të paidentifikuar i kanë hapur një adresë në ‘Tik Tok’ në emrin e saj, dhe për këtë ka bërë kallëzim penal.

Natën para ngjarjes, gruaja ka qenë në rregull dhe nuk ka pasur shqetësime dhe kemi festuar natën e Vitit të Ri. Por prej kohësh ajo kishte shfaqur ide se nuk përballonte dot foton që i kishin publikuar në ‘Tik Tok’. Kur u ngrita në mëngjes e pashë të shtrirë te dhoma e ndjenjës, në mes të shtëpisë. E çova në spitalin e Durrësit dhe aty më thanë se ka pirë fostoksinë dhe e nisën në Tiranë”, ka deklaruar E., bashkëshorti i saj!

PAS NGJARJES

Siç mësohet nga të dhënat që vijnë nga Durrësi, gruaja, e cila jetonte në shtëpi vetëm me dy fëmijët e vegjël, pasi djali i madh ishte në emigracion bashkë me të atin punonte në një fabrikë. Shantazhi i vazhdueshëm kishte ndodhur më shumë se prej një viti.

Ajo pasi ka nisur dyshimet në lidhje me personat që fshiheshin pas asaj adrese, ka shkuar në polici dhe që prej dhjetorit të dy viteve më parë, ajo nuk ka marrë një përgjigje nga Policia për rastin. Të paktën bashkëshorti i saj nuk e njeh asnjë sipërmarrje të policisë apo të prokurorisë për të hedhur dritë mbi personin që shpërndante foto në rrjetet sociale në emrin e saj dhe profilin e saj.

Prej më shumë se një viti, kallëzimi i 41- vjeçares B., ka mbetur në mes të Policisë së Durrësit dhe Prokurorisë së po këtij rrethi, ndërkohë që vetë policia në reagimin e djeshëm tha se i kishte referuar materialet në prokurori. Mbrëmë bashkëshorti i saj, 46 vjeç, ka thënë se personi për të cilin kanë dyshime është një kushërirë e saja, por ende nuk dihet motivi dhe as ndonjë e dhënë tjetër për personin që e çoi drejt vetëvrasjes nënën e katër fëmijëve mëngjesin e 2 janarit në shtëpinë e saj.


Shtuar 6.01.2024 09:27