Tërmeti tragjik në Turqi, gjenden nën rrënoja trupat e familjes shqiptare

Tre persona me origjinë shqiptare janë gjetur të pajetë nën rrënoja, pas dy tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e së hënës.

Erven Kaya, Kryetar i shoqatës vatra në Adana është shprehur se viktimat ishin shqiptarë nga Çamëria.

“Jemi munduar shumë për t’i nxjerrë. Sërish tani po shkojmë në Hatay të shpëtojmë të tjerë së bashku me ushtarët. Po përpiqemi të ndihmojmë sa mundemi por edhe shumë persona kanë ndërruar jetë. Në Laramarash ka ndërruar jetë një familje me origjinë shqiptare. Ata ishin shqiptarë nga Çamëria”, tha Kaya në Report Tv.

Mesohet se behet fjalë për dy prindërit dhe djalin e tyre, trupat e të cilëve janë gjetur të pajetë mëngjesin e ditës së sotme dhe janë nxjerrë nga rrënojat nga ekipet e kërkim shpëtimit.

Ata janë gjetur në qytetin e Kahramanmarash një nga zonat më  të  prekura nga tërmeti tragjik. Deri më tani nuk bëhet me dije identiteti i tyre.

Ndërkohë, sipas përditësimit të fundit nga agjencia turke e fatkeqësive dhe emergjencave, numri i personave që kanë humbur jetën në Turqi është 7108, ndërsa të lënduarit janë 40910.

Në Siri, numri i të vdekurve, sipas informacioneve të fundit të Aljazeera, është 2,530. Në total, të vdekurit tani i kalojnë 9600 (9638), ndërkohë që nuk ka shifra për të zhdukurit./Albeu.com/


Shtuar 8.02.2023 10:47