Prokuroria e Posaçme SPAK ka dhënë pretencën për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako në lidhje me inceneratorin e Fierit.
SPAK kërkon 10 vite burg për Kokën dhe 7 vite për Bllakon.
Më gjykim të shkurtuar, shkon në 6 vite e 8 muaj burg për kokën dhe 4 vite e 8 muaj për Bllakon.
Për Klodian Zoton, SPAK ka kërkuar 12 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 8 vite.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-vartësi i tij, ish-deputeti Alqi Bllako janë nën akuzë nga SPAK për aferën e inceneratorit të Fierit.
Koka e Bllako janë vënë para përgjegjësisë penale për “shpërdorim të detyrës”, “korrupsion” e “pastrim parash”.
Në përfundim të hetimit, SPAK vlerësoi se dy ish-zyrtarët e lartë në bashkëpunim kanë shpërdoruar detyrën përmes veprimeve e mosveprimeve në procedurën e ndjekur për ndërtimin e inceneratorit dhe shpronësimin e tokës.
Sipas SPAK, prej favorizimit të paligjshëm të kompanisë fituese, ish-ministri Koka ka përfituar gati 1,4 milionë euro ryshfet, ndërsa Bllako 14 milionë lekë të rinj.
Për Kokën, SPAK pretendon edhe pastrim të parave, përmes ngritjes së një skeme fiktive, ku shoqëri të drejtuara nga persona të afërt me ish-ministrin, përfitonin para për punime të pakryera në incenerator.
Mes të pandehurve në dosje është biznesmeni i shpallur në kërkim Klodian Zoto, aksioneri kryesor i shoqërisë që fitoi koncensionin për inceneratorin e Fierit.
Ai akuzohet për ryshfetet ndaj Kokës e Bllakos, si edhe ndaj Arben Dervishajt, mbikëqyrësit të punimeve në incenerator, Etleva Kondit, anëtares së dhënies së koncensionit, të cilëve në disa raste iu ka paguar bileta udhëtimi jashtë Shqipërisë dhe qëndrimin në hotele jashtë vendit.
Për të pandehurit e tjerë të dosjes, anëtarët e komisionit të dhënies së koncensionit dhe administratorët e kompanive, që kanë marrë shuma parash për punime që nuk i kanë kryer në të vërtetë, janë ngritur përkatësisht akuza të “shpërdorimit të detyrës” dhe “pastrim të parave”. /Albeu.com/