KPK nuk ka gjetur asnjë shkelje gjatë vlerësimit të aftësive profesionale apo kontrollit të figurës, madje as tek pasuria e tij, por në fund ka vendosur për shkarkimin e prokurorit Bledar Maksuti. Vendimi u shpall sot, ndërsa një javë më parë Maksuti ishte në seancë dëgjimore para KPK-së kur ndër të tjera u tha se në fakt, nuk ishte bërë vlerësimi i pasurisë së tij, por të babait të ndjerë, i cili ka punuar si avokat.
KPK theksoi se ka gjetur dy mospërputhje në deklarimin e pasurisë së familjes së prokurorit, pasi i jetonte me babain, gjë që duket se ka mjaftuar për të dhënë një vendim kundër tij.
Maksuti është prokurori që zbuloi në kohë rekord vrasësit e Behar Sofisë një muaj më parë, e cila u krye në mes të kryeqytetit.
Bledar Maksuti e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore dhe e ushtron funksionin e prokurorit prej vitit 2008.
Në seancën e së premtes, ai u përball me gjetjet për pasaktësi në deklarime si dhe mungesa të burimeve financiare –të cilat lidheshin në të gjitha rastet me të ardhurat, shpenzimet dhe transaksionet e kryera nga babai i tij.
Prokurori Maksuti tha në seancë se ka qenë në një trung familjar me të atin dhe se kanë jetuar gjithmonë bashkë. Ai këmbënguli se apartamenti i vetëm që zotëron familja është krijuar me të ardhurat e ligjshme të babait të tij.
“Mund të ketë pasaktësi, por gjithçka është deklaruar në mënyrë të vërtetë,” tha ai një javë më parë.
Prokurori Bledar Maksuti u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Procesi i vetingut u krye nga trupa e drejtuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtar Lulzim Hamitaj. /albeu.com/