Protestat japin efekt, bëhet sërish me dy sense lëvizjeje rruga e Rinasit (VIDEO)

Pas protestave të banorëve të zonës që zgjatën për disa ditë, Rruga e Rinasit do të kthehet në gjendjen e mëparshme. Lajmin e bën të ditur Autoriteti Rrugor Shqiptar me anë të një njoftimi.

Në njoftim thuhet se qarkullimi do të vijojë tashmë me dy sense lëvizjeje deri në zgjidhjen përfundimtare të situatës. ARRSH u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që vijnë nga veriu që të përdorin akse alternative në mënyrë që të mos rëndohet trafiku që të çon drejt Aeroportit.

Kurse, udhëtarëve apo turistëve që udhëtojnë drejt aeroportit u kujtohet që të marrin në konsideratë fluksin e lartë të mjeteve në aks.

Njoftimi i ARRSH:

NJOFTIM
Kthehet në gjendjen e mëparshme Rruga e Rinasit, qarkullimi do të vijojë me dy sense lëvizjeje deri në një zgjidhje përfundimtare me qëllim lehtësimin e trafikut në segmentin Qafë Kashar-Rrethrrotullimi i Rinasit-Ahmetaq.
Apel ynë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu të përdorin akset alternative për të mos rënduar trafikun në rrugën që të çon drejt aeroportit të Rinasit.
Udhëtarë/turistët që marrin fluturimet të marrin në konsideratë fluksin e lartë të mjeteve në këtë aks duke përllogaritur orarin e nisjes./albeu.com

Shtuar 5.05.2022 10:33