VIDEO/ 1852 efektivë në terren, policia aksion në disa qytete të vendit, 25 të arrestuar

Policia e Shtetit ka ndërmarrë një aksion të gjerë në disa qytete të vendit.

Në kuadër të operacionit “ Sundimi i ligjit” deri tani janë vënë në pranga 25 persona.

Mësohet se në aksion janë përfshirë 1852 punonjës policie, nga Forcat e Sigurisë Kombëtare, Reparti Special “RENEA”, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe strukturat e drejtorive vendore të Policisë.

Bëhet me dije se 19 prej shtetasve të arrestuar ishin shkallur në kërkim kombëtar ndërsa 1 në kërkim ndërkombëtar për veprat penale e kundër personit, pronës dhe në fushën e narkotikëve. Ndërsa 5 prej tyre janë arrestuar në flagrancë për armë e drogë.

Gjithashtu, janë sekuestruar 9 armë, zjarri, sportive e gjahu, një mjet prerës dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak, ëndë narkotike cannabis sativa dhe kokainë, si dhe një shumë e konsiderueshme parash të përfituara nga veprimtaritë kriminale.

Arrestimet

-Në Dibër është kapur një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, i akuzuar për vrasje dhe për grabitje me armë;

-19 shtetas të tjerë të kërkuar kombëtarisht: për tentativë për vrasje të dyfishtë në Shkodër; për plagosje të rëndë me dashje ose për armëmbajtje pa leje në Dibër; për llogari të SPAK-ut; në kuadër të megaoperacionit “Tempulli” (3 shtetas në Tiranë dhe 1 shtetas në Durrës); për raste të tjera në fushën e narkotikëve në qarqet Tiranë, Vlorë dhe Berat; për vjedhje në Tiranë dhe në Fier ose për veprimtari të tjera kriminale, janë kapur dhe janë vënë në pranga;

Çfarë u sekuestrua

-3 armë zjarri (pushkë dhe 2 pistoleta), armë gjahu dhe municion luftarak janë sekuestruar nga Policia, në Dibër, Tiranë dhe në Fier. Të katër poseduesit e tyre janë vënë në pranga;

-61.5 gramë kokainë dhe 500 doza cannabisi janë sekuestruar në Tiranë dhe në Dibër, si dhe janë arrestuar në flagrancë 2 shtetasit që i posedonin lëndët narkotike, me qëllim shitjen.

Materialet procedurale për secilin rast i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme hetimore.

Operacioni “Sundimi i ligjit” vijon në të gjithë vendin.


Shtuar 10.11.2023 12:47