KQZ regjistron në zgjedhje koalicionin “Bashkë Fitojmë”, por heq siglën e PD-së së Berishës

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, ka regjistruar  në zgjedhjet e 14 majit koalicionin “Bashkë fitojmë”, por ka hequr nga ky ky koalicion siglën PD-së së Sali Berishës.

Celibashi u shpreh se PD-ja nuk ka shprehur vullnet për t’u bërë pjesë e këtij koalicioni dhe si e tillë, sigla PD e Berishës nuk mund të jetë pjesë e saj.

“Jemi para të njëjtës situatë sikurse ishte ajo e zgjedhjeve të 6 marsit. Ajo që thotë përfaqësuesi i PD (Indrit Sefa) që PD nuk është pjesë e asnjë koalicioni, mungon vullneti i PD për të qenë pjesë e një koalicioni. Nuk shoh shkak për të marrë vendim të pjesshëm apo të ndërmjetëm për të bërë plotësim dokumentacioni. Në analizë të të gjitha cfarë përmenda, do regjistrojmë koalicionin Bashkë Fitojmë por me parti pjesëmarrëse PL, PDK dhe PBDNJ. Me shkronjë nistore të këtij koalicioni BF. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, tha Celibashi.

Në këtë mënyrë ky koalicion do të jetë i përbërë vetëm nga tre parti, PL, PBDNJ dhe PDK.