Helmimi masiv në Krujë, del rezultati i analizave të ujit

Gjatë 4 ditëve të fundit në Krujë janë helmuar më shumë se 500 banorë, të cilët kanë marrë shërbim shëndetësor në spital.

Njësia vendore e Shëndetit Publik në Krujë bën me dije se kanë dalë rezultatet e analizave të ujit, dhe rezulton se ka ngarkesë bakteriale të escherichia coli dhe streptokokut fekal.

Kjo do të thotë se qytetarët e Krujës janë helmuar nga uji i pijshë që është përzier me të zezat.

Kujtojmë se në një reagim, Prokuroria e Rrethit Krujë bëri me dije se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit në lidhje me këtë ngjarje ka nisur kryesisht hetimet për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave, e parashikuar nga neni 201 pg. 3, i Kodit Penal.

Hetimet në lidhje me këtë ngjarje janë duke u kryer në drejtim të zbulimit të shkaqeve që kanë çuar në helmimin e banorëve, si dhe individualizimin e përgjegjësive penale për personat përgjegjës.


Shtuar 27.10.2021 15:10