Detaje makabre nga vrasja e 18-vjeçares: E rrahën për vdekje dhe e braktisën jashtë spitalit

Janë zbardhur detaje nga ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Ferizaj, Kosovë.

Policia ka ndaluar një shtetas i cili dyshohet se ka lidhje me vdekjen e 18-vjecares që u gjet pa jetë në emergjencën e Ferizajt pasi u la nga dy persona të cilët u larguan me shpejtësi.

Sipas prokurorisë, A.S dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, bashkë me të dyshuarin, D.K. Të njëjtët bëhet e ditur se kanë keqtrajtuar fizikisht të ndjerën, që si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë.

Dyshohet se me njërin nga dy të rinjtë viktima vetëm 18-vjeç kishte një lidhje intime dhe bashkëjetonte me të.

Njoftimi i policisë:

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçares në Ferizaj, me vendim të prokurorit, është ndaluar një (1) person i dyshuar, me inicialet A.S., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa, i dyshuari tjetër D.K., që gjendet ende në arrati, dyshohet se për motive të ulëta, ka keqtrajtuar fizikisht tani të ndjerën M.O., e cila si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë dhe vdekjen e saj e kanë konstatuar mjekët në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku me ç’rast i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, thuhet në njoftimin e prokurorisë. /albeu.com/