Basha e thotë troç dhe paralajmëron vendimin drastik mbi Sali Berishën (VIDEO)

Kryetari i PD Lulzim Basha ka deklaruar për herë të parë se pas përplasjes së madhe mes tij dhe ish-kryeministrit Sali Berisha mund të vijë shkarkimi i këtij të fundit.

“Dhe fitorja nuk mund të vij kurrë duke pasur një non grata në radhët tona, as duke e shndërruar të gjithë partinë në non grata, për ta hir të fatit personal të një personi kushdo qoftë ai…”- tha ndër të tjera kryetari Basha duke zbuluar vendimin që PD do të marrë ndaj Sali Berishës.

Deklarata e Bashës:

Pas shpalljes së tij non grata për korrupsion madhor dhe pengim të demokracisë, ne jemi përballur me një fushatë të pashembullt, të pa principtë.

Jemi përballur me një fushatë në kufijtë e një lufte civile, me një arsenal mjetesh nga më të pistat, metodash nga më të ultat të një grupi të vogël, por zhurmëmadh për ta detyrur PD të hyjë në një konflikt me SHBA, për ta detyruar PD të bëhet mburojë e problemit personal të Sali Berishës.

Më takonte mua të merrja mbi vete peshën e atij vendimi, të kthehesha në rrufepritëse të akuzave që vërshuan dhe vërshojnë si lum, më takonte mua të lidhesha pas direkëve e të mbyllja veshët me dyll, që të mos dëgjoja këngën e sirenave, që sot janë një orkestër e madhe e mirëpaguar, e dirigjuar për të më denigruar mua dhe ekipin tim, e cila kishte vetëm një funksion, shmangien e të vërtetës.

Dhe e vërteta është shumë e thjeshtë. Drama që ra mbi Berishën, duhej shuar duke krijuar një dramë mbi demokratët, duke i trazuar shpirtrat e tyre të lënduar nga padrejtësia e 25 prillit, në interes të një personi, dhe të atyre që kurdisin mërinë e tij, duke e dëmtuar kështu Partinë Demokratike.

Por unë nuk mund ta pranoja këtë, ne nuk mund ta lejojmë këtë, sepse Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, por është pasuri e demokratëve, të cilët kërkojnë vetëm një gjë, fitoren.

Dhe fitorja nuk mund të vij kurrë duke pasur një non grata në radhët tona, as duke e shndërruar të gjithë partinë në non grata, për ta hir të fatit personal të një personi kushdo qoftë ai.

Pandaj cfarë ka ndodhur pas 9 shtatorit po na ndryshon. Dhe ne sot zgjedhim të na ndryshojë për mirë.

 

 

 


Shtuar 18.12.2021 13:26