Aksident i rëndë në Berat, kamionçina përplas dhe merr zvarrë 40-vjeçarin

Një aksident i rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në dalje të Beratit.

Mësohet se një mjet tip kamionçinë ka përplasur një këmbësor dhe më pas e ka tërhequr zvarrë disa metra.

Pas aksidentit shoferi i kamionçinës është larguar nga vendi i ngjarjes.

I plagosuri Arben Kanaçi, 40-vjeç, është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit në gjendje të rëndë, për shkak të plagëve të shumta të marra në trup dhe në kokë.

Burimet spitalore bëjnë me dije se 40-vjeçari do të transportohet me ambulancë drejt Spitalit të Traumës, për një ndihmë më të specializuar.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, që po kryejnë edhe kqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që disa patrulla u vunë në ndjekje të mjetit përgjatë aksit nacional Berat-Dimal, ku sipas dëshmitarëve ishte larguar mjeti pasi përplasi 40-vjeçarin.

Mjeti tip kamionçinë u kap nga patrullat e policisë në Moravë, ndërkohë që Artan Eskiu, drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin u ndalua dhe u shoqërua në polici./Alebu.com/


Shtuar 11.03.2023 19:39