I dyshuar për vrasjen e çiftit të moshuar në Dropull, Prokuroria Gjirokastër kërkon burg për Thoma Mastora, 69-vjeçarin e dyshuar autori i vrasjes së dy të moshuarve në Dropull, 84 vjeçarin Kosta Ilia dhe gruan e tij Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe, për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”
Njoftimi i plotë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, mbi bazën e materialeve kallëzuese të ardhura nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër se në fshatin Bodrisht, Bashkia Dropull, janë gjetur në banesën e tyre të vdekur me shenja dhune, shtetasit K.I dhe K.I., ka regjistruar procedimin penal nr.240/2024 për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer ndaj dy ose më shumë personave, parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal.
Nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, u formua grupi hetimor, ku pasi është shkuar në vendin e ngjarjes, janë kryer veprimet e para hetimore, si këqyrja e detajuar e vendit të ngjarjes, këqyrja e kufomave, pyetja në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të dobishme për hetimin e banorëve të fshatit dhe shtetasve të tjerë, ekzaminime dhe ekspertime shkencore.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi Th.M. ka konsumuar elementet e veprës penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 79/dh dhe 278/3 i Kodit Penal.
Në këto kushte më datë 04.05.2024, nga prokurori i çështjes u urdhërua ndalimi i këtij shtetasi.
Më datë 06.05.2024, prokurori i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër me “Kërkesë për vleftësimin e ndalimit dhe Caktimin e masës së sigurimit Arrest në burg” për shtetasin Th.M dhe në seancën gjyqësore të datës 08.05.2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër vendosi vleftësimin të ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në burg’ për shtetasin Th.M.
vijon…