Ende nuk dihet asgjë për fatin e 26 vjeçarit Mateo Lika i cili një ditë më parë ka humbur kontaktet me familjarët, teksa mister mbetet edhe nëse automjeti ka rënë në ujërat e lumit Seman, apo është larguar nga aty pas përplasjes me urën.
Policia po heton në të dyja pistat, ndërsa kontrollet do të vijojnë si në ujërat e lumit Seman ashtu edhe në zonat përreth, me shpresën për të gjetur automjetin.
Të dielën polumbarët e forcave Renea kërkuan në ujërat e lumit për më shumë se 4 orë, por nuk arritën të gjenin automjetin e apo shenja të mjaftueshme për të çuar në prova konkrete se makina ka rënë në ujë. Për të mundësuar kërkime më të plota u kërkua mbyllja e portave të Gramshit, që sjellin edhe uljen e prurjeve në lumin Seman.
Fakti që telefoni i të riut është ende i fikur e bën edhe më të vështirë për të zbuluar vendndodhjen e tij dhe automjetit të marrë me qira.
Mjeti nuk ka pasur GPS, ndërsa nga kamerat e sigurisë nuk arrihet të identifikohet qartë lëvizja e 26 vjeçarit. Deri tani nuk është bërë denoncim tjetër dhe kjo shtyn policinë të mendojë se 26 vjeçari mund të udhëtonte i vetëm.
Ndërkohë, janë marrë në pyetje të njohur të 26 vjeçarit e kontaktet e këtij të fundit për të zbuluar lëvizjet e tij përpara se të humbte gjurmët. /albeu.com