Dyshohet se fitoi 2 miliard $ me mashtrim, Prokuroria e Elbasanit kërkon ekstradimin e të riut turk

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan, ka njoftuar se ditën e sotme ka sot depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan kërkesën për ekstradimin në Turqi të shtetasit turk Faruk Fatih Ozer.

Ozer akuzohet për mashtrim me kriptomonedhat. Autoritetet turke të drejtësisë kanë transmetuar përmes Ministrisë së Drejtësisë materialet e plota që kanë të bëjnë me kërkesën për ekstradim në Turqi të shtetasi Faruk Fatih Ozer, në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Paqit e Shkallës së Parë Nr.7 në Stambollin Anadollian me vendimin datë 07.05.2021 ka caktuar ndaj këtij personi masën e sigurisë “Arrest në burg” për disa vepra penale të kryera në Turqi.

I riu u arrestua më 30 gusht të këtij viti teksa ishte duke pushuar në plazhin e Himarës. Shtetasi turk, themelues i një platforme online për këmbimin e kriptovalutave, Thodex, mbylli papritur aktivitetin, në prill të vitit të kaluar, pasi kishte grumbulluar një shumë prej 2 miliardë dollarësh nga 391 mijë investitorë.

Ozer ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, ndërsa Gjykata e Lartë e Stambollit kishte lëshuar ndaj tij urdhër arresti në vitin 2021, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

I riu turk, kishte mbërritur në Shqipëri më 20 prill 2021, përpara se autoritetet e vendit të tij të viheshin në lëvizje. Një ditë më pas, në platformën Thodex, investitorët lexuan një njoftim të pazakontë për pezullimin e përkohshëm të aktivitetit “për shkak të një investimi të rëndësishëm”. Ky njoftim, i vuri ata në alarm, pasi nuk u mundësohej më qasja në portofolet e tyre. Më 23 prill 2021, autoritetet turke arrestuan 62 persona të lidhur me Thodex, dhe disa të tjerë u shpallën në kërkim.


Shtuar 28.09.2022 16:53