Dyshohet për vrasjen e Lulzim Vishës, Gjykata merr vendimin për Eduart Lamin

Gjykata e Tiranës, ka lënë në burg shtetasin Eduart Lami, i cili u arrestua si i dyshuar për vrasjen e postierit Lulzim Visha.

Zyrtarisht ai akuzohet për armëmbajtje pa leje, por policia e dyshon për vrasjen e Lulzim Vishës.

Në deshmin e tij ai ka deklaruar se “Nuk kemi pasur konflikt me familjen e viktimës”.

“Në dijeninë time nuk kemi pasur asnjë debat apo përplasje. Nuk e di për pjesëtarë të tjerë të familjes nëse kanë pasur konflikte me dy vëllezërit Visha. Por unë personalisht dhe nga ajo çfarë di unë nuk kemi pasur konflikte”, shtoi i riu në deklaratën e tij.

Vrasja e Lulzim Vishës

Konfliktet për një prone dyshohet se çuan në ekzekutimin e 48-vjeçarit, Lulzim Visha, krimi ndodhur mëngjesin e 24 Janarit në Zall Mner.

Viktima pretendonte një sipërfaqe të madhe toke, të cilët aktualisht e posedon Ervis Lami. Konfliktet mes tyre kanë shkuar deri edhe në përplasje fizike.

Ndërkohë, ka dyshime se 31-vjeçari dhe kushëriri i tij i arrestuar Eduart Lami, janë autorë të dyshuar të vrasjes së 48-vjeçarit.

Ervis Lami, është një emër i njohur për policinë në vend, pasi vite me parë ai ndihmoi të dënuarin Admir Tafili që të arratisej nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës.

Prej asaj kohe, ai dyshohet të jetë përfshirë në krime të rënda. Ndërsa vitet e fundit ka qëndruar shpesh në Dubai.

Arrestimi i Lamit

Eduart Lami është ndaluar gjatë kontrolleve në zonën e Kamzës për akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërsa është shpallur në kërkim kushëriri i tij, Ervis Lami.

Gjithashtu, dyshohen si të përfshirë në atentatin ndaj 48-vjeçarit Lulzim Visha, ndaj të cilit u qëllua me të pakten 12 plumba teksa ndodhej në automjetin e punës.

Ndërkohë hetimet e policisë janë përqëndruar në një konflikt që viktima dhe vëllai i tij kanë pasur kohët e fundit.

Zbulimi i dy kushërinjve

Blutë kanë kryer kontrolle në banesën në rrugën Paqësore, Zall Mner, gjatë hetimeve për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit, Lulzim Visha.

Mësohet se gjatë kontrolleve u gjetën një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e shtëpisë janë gjetur 4 gëzhoja armë.

“Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë po dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale”, informojnë blutë.

Raportohet se banesa ku u gjetën sendet e kundraligjshme është në posedim të Ervis Lamit dhe përdorej nga 31-vjeçari, si edhe kushëriri i tij, Eduart Lami.

Në pranga u vendos 37-vjeçari, banues në Kamëz, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.

Ndërsa u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e Ervis Lamit.


Shtuar 27.01.2025 11:01