Dyshohen për spiunazh ndaj Suedisë dhe një vendi tjetër, arrestohet në Stokholm çifti i të moshuarve

Autoritetet suedeze thonë se kanë arrestuar dy persona të tjerë të dyshuar për spiunazh në Stokholm. Të dyshuarit u ndaluan pas kontrollit në banesën e tyre.

Mediat suedeze kanë raportuar se të dyshuarit janë një çift rreth të 60-tave dhe se në operacionin policor janë përdorur dy helikopterë Black Hawk.

“Një nga të arrestuarit dyshohet për aktivitete të rënduara të paligjshme të inteligjencës kundër Suedisë dhe kundër një fuqie të huaj. Personi tjetër dyshohet për ndihmë dhe nxitje. Për të dy kishte nisur një hetim prej kohësh,” tha Policia lidhur me aksionin.

Kontrollet vijnë pasi autoritetet suedeze akuzuan dy vëllezër me origjinë iraniane për spiunim për shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU) për rreth 10 vjet. Një nga të dyshuarit kishte punuar për agjencinë e brendshme të inteligjencës suedeze. Por të dy kanë mohuar çdo keqbërje.


Shtuar 22.11.2022 18:32