Sot dy vite më parë, dy ushtarakët shqiptarë me shërbim në bazën e NATO-s në Letoni, nëntetares Zarife Hasanaj dhe majori Klodian Tanushit humbën jetën.
Ushtarakët humbën jetën gjatë shpërthimit të municionit luftarak, në mëngjesin e datës 6 maj 2019 ku mbeti i plagosur edhe rreshteri Julian Kapaj, ekspert i EOD, i cili i mbijetoi tragjedisë dhe vijon të jetë efektiv i FA.
Dy ushtarakët që humbën jetën në krye të detyrës u shpallën dëshmor të atdheut, ndërsa emrat e tyre janë gdhendur në një pllakë përkujtimore brenda kampit ADAZI në Letoni ku dhe ndodhi ngjarja.
I mbijetuari tragjedisë së Letonisë rreshteri Julian Kapaj ka përkujtuar dy kolegët e ndjerë me një mesazh tepër prekës në Facebook.
“Shpirti i vëllait. Sot bëhen 2 vite pa ty . Lavdi Dëshmorit të Atdheut Klodian Tanushi dhe motrës Zarife Hasanaj. Ju qoftë dheu i lehtë! Do jeni përherë në zemrën time”, shkruan ai.