Sot bëhen dy vite nga tërmeti 6.4 ballë që lëkundi vendin tonë orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit, duke shënuar 51 viktima dhe duke lënë qindra familje pa shtëpi.
Edhe pse kanë kaluar 2 vjet ngjarja është akoma e freskët për ata që kanë humbur të afërmit e tyre dhe për ata që ende nuk janë strehuar në shtëpitë e rindërtuara.
Dy zonat më të prekura dhe me më shumë viktima kanë qenë Durrësi ku ishte epiqendra dhe Thumana.
Kujtojmë se lëkundjet e forta sizmike lanë me pasoja psikologjike mijëra njerëz që e përjetuan dhe kjo frikë vijon edhe sot sapo ndjehet edhe një tërmet i lehtë.
Kujtojmë se solidariteti i vëllezërve, fqinjëve dhe miqve nuk mungoi. Kosova, Italia, Greqia, Turqia, Franca e shumë vende të tjera sollën jo vetëm ndihma në Shqipëri, por edhe ekipe të kërkim-shpëtimit që për ditë me radhë kërkuan nën rrënoja për trupat e viktimave.
Dy vite më vonë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se familjet që kanë qëndruar në çadra dhe në shtëpi me qira, më 25 nëntor ka filluar shpërndarja e apartamenteve.
Zv/ministri Arben Ahmetaj ka thënë më herët se shpërndarja e apartamenteve do të fillojë me listë aprioritare që ka të bëjë me disa kategori; familje me ndihmë ekonomike, familje nënave të vetme, të moshuarit e vetëm, familjet e policëve të vrarë, ndërsa për pjesën tjetër do të bëhet me short publik.
“Vendimi ka të bëjë me mënyrën sesi do të shpërndahen njësitë individuale dhe apartamentet në zonat e dëmtuara duke filluar që nga 25 nëntori i këtij viti, ku do bëhet shpërndarja e parë. Në vendim është përshkruar në mënyrë transparente mënyra e ndarjes së apartamenteve, pasi kalon lista aprioritare në bazë të ligjit. Lista aprioritare ka të bëjë me disa kategori; familje me ndihmë ekonomike, familje nënave të vetme, të moshuarit e vetëm, familjet e policëve të vrarë. Ndërsa për pjesën tjetër, mënyra sesi do të shpërndahen apartamentet do të jetë me short publik transparent që do të zhvillohen nga njësitë vendore. Që do të thotë, qytetarët që do të përfitojnë apartamente apo njësi individuale do të jenë përballë shortit publik ku do të përputhem vlerësimi i shpërblimit për ta me apartamentet e ndërtuara kohë pas kohe”, tha Ahmetaj./albeu.com