Dy të mitur mes 7 viktimave të përmbysjes të autobusit në autostradën e SHBA

Shtatë njerëz janë vrarë dhe dhjetra u plagosën mëngjesin e sotëm kur një autobus pasagjerësh humbi kontrollin e doli nga autostrada duke u rrotulluar disa herë në Mississippi, SHBA.

Mes të vrarëve të tragjedisë raportohej se ishin një vëlla e motër me moshë respektivisht 6 e 16 vjeç. Tridhjetë e shtatë pasagjerë të autobusit që shkonte drejt Meksikës, u dërguan në spitalet e  qytezave Vicksburg e Jackson me plagë të ndryshme, njoftonte policia e Mississippi.
Autobusi tip Volvo i vitit 2018 u përmbys jashtë autostradës pranë Bovina. “Është tragjike në një situatë të tillë me shumë të vdekur e të plagosur,” tha sherifi vendas Martin Pace për rrjetin CNN.

Autobusi i përkiste linjave Autobuses Regiomontanos, të cilat transportojnë pasagjerë mes Meksikës e SHBA. Nuk është ende e qartë nga cili qytetet mjeti ishte nisur, por disa nga pasagjerët kishin pasaporta meksikane.

“Pasagjerët kalojnë kontrollet përkatëse të emigracionit duke treguar pasaportat ose vizat për të hyrë në Meksikë ose në Shtetet e Bashkuara. Disa prej tyre kishin dokumente meksikane”, tha kreu i patrullave të Mississippi, Kervin Stewart.

Shoferi i mjetit tërheqës Keith Allison tha për rrjetin vendas WAPT se autobusi kishte ndaluar në një pellg dhe disa pasagjerë kishin përfunduar jashtë mjetit, shkruan CNN. Rrjeti NTSB tha se autobusi kishte pësuar një shpuarje gome por shkaku i aksidentit tragjik është ende nën hetim.


Shtuar 31.08.2024 22:05