Dy propozime në takimin e BE për energjinë, Gjermania: Furnizimin e kemi siguruar

Dy propozime do të diskutohen në takimin e Këshillit të Energjisë së BE-së, pohoi një ministër që drejton përpjekjet e Presidencës çeke të Bashkimit Evropian për të përballuar çmimet e larta të energjisë.

Ishte republika Ceke ajo që kërkoi mbajtjen e takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të energjisë së bllokut.

Gjithmonë e më shumë, manovrat e Rusisë, furnizuese kryesore e energjisë në Bashkimin Europian kanë shtuar frikën se ajo mund t`i reduktojë furnizimet gjatë dimrit si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të vendosura prej Brukselit si ndëshkim për agresionin në Ukrainë.

Ministri çek i Industrisë, Jozef Sikela, tha se njëra nga mundësitë parashikon ndarjen e çmimit të gazit nga ai i energjisë elektrike.

“Një opsion parashikon ndarjen e çmimit të gazit nga çmimi i ngarkuar nga termocentrali që konverton gazin në energji elektrike, dhe kështu vendos çmimin për konsumatorët në mënyrë që çmimet e larta të gazit që janë objekt i luftës energjetike të mos ndikojnë tek çmimet e energjisë elektrike. Propozimi tjetër alternative parashikon vendosjen e çmimeve maksimale për prodhimin e gjithë elektricitetit, përveç atij që kërkon gaz, pra duke kufizuar në thelb çmimin e energjisë nga karburanti bërthamor, qymyri dhe burimet e ripërtërishme”, tha Jozef Sikela, ministër çek i Industrisë.

Që kur pjesëmarrësit në samitin e G7 dhe liderët e tjerë perëndimorë hodhën idenë e një kufiri të çmimit për importet e gazit rus, Moska ka kërcënuar vazhdimisht me ndërprerje të furnizimeve.

Ministri gjerman i Ekonomisë Habeck deklaroi Gjermania ka mjaftueshëm energji për të kaluar dimrin. E megjithatë, dy centrale bërthamore, Isar 2 dhe Neckarëestheim, do qëndrojnë të hapura, për çdo eventualitet. Ky ishte rezultati i provës së stresit, që Habeck paraqiti në Berlin.

Ministri shpjegoi se dy centralet në jug të vendit do të mbeten në punë si rezervë, deri në prill 2023. Më pas edhe ato do të hiqen nga rrjeti duke qenë se energjia bërthamore mbetet një teknologji me rrezik të lartë, dhe veç të tjerash ajo nuk është e qëndrueshme./tch


Shtuar 6.09.2022 18:46