Dy fuqitë e Lindjes së Mesme përfshihen në luftë, cilat do të jenë pasojat?

Rusia ka sulmuar edhe sot Kievin me dronë kamikazë të marrë nga Irani duke ngjallur reagime të forta në komunitetin ndërkombëtar. Një numër dronësh kamikazë iranianë të quajtur “Shahed” goditën qendra të banuara në Kiev gjatë mëngjesit të sotëm teksa banorët po bëheshin gati të nisnin javën duke shkuar në punë apo në shkollë.

Nuk dihet ende numri i viktimave, ndërkohë që Rusia ka nisur të përdorë gjerësisht dronët iranianë kundër Ukrainës. Madje, sëfundmi iranianët kanë njoftuar se do të furnizojnë Rusinë me raketa balistike me rreze të shkurtër, gjë që ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Izraelit.

Ministri i Izraelit për Diasporën Nachman Shai, tha menjëherë se tashmë kishte ardhur koha që Ukraina të merrte ndihma ushtarake edhe nga Izraeli krahas NATO-s dhe SHBA-ve, shkruan abcnews.al.

Është e paqartë se me çfarë armësh do ta ndihmojë Izraeli-Ukrainën, por duket se tashmë vendi është kthyer në një fushëbetejë të përplasjes mes blloqeve me Rusinë që ka Bjellorusinë dhe Iranin në krah dhe Ukrainën që kanë të gjithë Perëndimin dhe Izraelin në mbështetje.

Këta të fundit njihen për teknologjinë e tyre të avancuar ushtarake, sidomos në sistemet e mbrojtjes ajrore, të cilat iu duhen shumë ukrainasve tashmë që po sulmohen me dronë dhe raketa. /abcnews.al