DW: Krizë në qeverinë e Erdoganit, ministri i Jashtëm kërcënon me dorëheqje prej ambasadorëve

Turqia u tërhoq shpejt nga nisma e Presidentit Erdogan për të shpallur “non grata” 10 ambasadorë të vendeve perëndimore pasi kërkuan lirimin e aktivistit Osman Kavala që mbahet i burgosur prej disa vitesh.

Erdogan tha para një publiku të gjerë që ambasadorët nuk mund t’i tregonin Turqisë se çfarë duhej të bënte dhe se ata duhej të dinin pozicionin e tyre.

“Na vijnë këta dhe një në dy, thonë Kavala, Kavala. Pse këta do të na tregojnë neve se çfarë do të bëjmë në vendin tonë. Këta do t’i tregojnë popullit madhështor turk si duhet të sillet? Kam udhëzuar ministrin tonë të Jashtëm që të shpallë non grata 10 ambasadorët që kërkuan lirimin e Kavalas”, tha Erdogan tre ditë më parë.

Por çfarë ndodhi?

Sipas DW, fill pas kësaj deklarate, ka patur një mbledhje qeverie dhe Erdogan e kishte hapur çështjen e ambasadorëve edhe aty, por ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu i kishte kërkuar që ta shtynin diskutimin e kësaj çështjeje pas mbledhjes.

Më pas, raporton DW, ministri tha Erdoganit që nuk mund t’i shpallte “non grata” 10 ambasadorët dhe nëse nuk do të ndodhet, ai do të largohej nga kabineti qeveritar.

Ky ultimatum sipas Dw bëri që Erdogan të tërhiqej nga vendimi i tij duke shmangur kështu një krizë edhe më të madhe të Turqisë me Perëndimin. Stafi i Erdoganit reagoi pas lajmit të DW duke e cilësuar atë një stisje.

Aktualisht ka një krizë mos besimi mes Perëndimit dhe Turqisë, e cila është radhitur krah Rusisë sa i përket politikave rajonale, por edhe botërore. Një vendim mbi ambasadorët vetëm do të përkeqësonte pozicionin e Turqisë, ekonomia e së cilës tashmë ndodhet në krizë./DW/