Gjyqi i nisur në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është një gjyq kundër UÇK-së, por një gjyq kundër individëve që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Kjo ishte deklarata të cilën Prokurori Special e nënvizoi në mënyrë të veçantë në nisjen e gjyqit në Gjykatën Speciale të Hagës gjatë mëngjesit të së hënës.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm Rexhep Selimi, u deklaruan “krejtësisht të pafajshëm” në nisjen e seancës së parë gjyqësore, e cila duket se do t’i paraprijë një procesi maratonë që mund të zgjasë rreth gjashtë vjet. Thaçi dhe Veseli ishin të prerë në përgjigjet e tyre, ndërkohë që Veseli shprehu mospajtimin e tij për “vonesën mbi dy-vjeçare të gjykimit paraprak”. Krasniqi nga ana e tij tha dhe ripërsëriti se nuk ka lidhje me asnjë akuzë të parashtruar ndaj tij.
Whiting: Të pandehurit pjesë e zinxhirit komandues
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së akuzohen se nga marsi i vitit 1998 e deri në shtator 1999 kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj pakicave etnike – atyre serbe dhe rome – si dhe ndaj rivalëve të tyre politikë që nuk i kanë mbështetur gjatë luftës dhe në qeverinë e formuar pas çlirimit. Ata akuzohen për përndjekje, trajtim çnjerëzor, vrasje, zhdukje personash etj.
Prokurori special në detyrë, Alex Whiting, tha në hyrje të parashtrimeve të tij se katër të akuzuarit janë anëtarë themelues të UÇK-së dhe kanë qenë pjesë e zinxhirit komandues. “Por ka pasur edhe një anë të errët të lidershipit të tyre, që janë objekt i kësaj akuze” – deklaroi përfaqësuesi kryesor i organit të akuzës, i cili zëvendësoi prokurorin tashmë të dorëhequr Jack Smith, të cilit iu ngarkua një tjetër detyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në akuzë evidentohet se janë mbi 100 krime, shumica shqiptarë të Kosovës të cilët ishin rivalë politikë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në dosjen e akuzës gjenden dokumente dhe dëshmitarë të shtrirë gjeografikisht në shumë zona të Kosovës, por edhe në Shqipëri. Prokurori në detyrë Whiting theksoi se intimidimi i dëshmitarëve ka qenë dhe mbetet një tjetër sfidë e këtij procesi. “Dëshmitarët e akuzës vijojnë të intimidohen dhe të frikësohen edhe sot”. Rreth 312 persona pritet të dëshmojnë në këtë proces gjyqësor.
Protesta në Hagë
Në rrugët e Hagës flitej shqip një ditë para nisjes së gjyqit. Qytetarë të shumtë udhëtuan nga Zvicra, Gjermania dhe shtete të tjera për t’u tubuar në mbështetje për të akuzuarit dhe kundër këtij procesi gjyqësor. Teksa paraditen e datës 3 prill, në Gjykatën Speciale lexohej aktakuza, metra më tutje, protestuesit u mblodhën nën thirrjet “UÇK” dhe “Liri për çlirimtarët”. Për Deutsche Welle-n qytetarët e pyetur thanë, se nuk i besojnë prokurorisë, por i besojnë drejtësisë, dhe janë të mendimit se ish-krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm. Autoritetet kishin lejuar mbledhjen e 300 personave, por sipas organizatorëve u mblodhën rreth 3 mijë vetë./dw