Durrës/ Sherr mes të moshuarve pas lojës së dominove, plagoset njëri prej tyre

Këtë të hënë, një përplasje e pazakontë mes dy të moshuarve, ka ndodhur në sheshin “Pranvera” në qendër të qytetit të Durrësit, ku një debat gjatë një loje domino ka përfunduar në një plagosje me thikë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, kur sipas burimeve nga policia, konflikti mes dy burrave të moshuar ka degraduar në dhunë fizike dhe njëri prej tyre ka qëlluar tjetrin me mjet prerës.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë patrullat e Policisë së Durrësit dhe një ambulancë, e cila ka transportuar të plagosurin drejt spitalit rajonal. Gjendja e tij raportohet të jetë nën kontroll.

Autori i dyshuar është shoqëruar në komisariat, ku po merret në pyetje lidhur me motivin e konfliktit dhe rrethanat e ngjarjes. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.