Takon një shok klase dhe gjatë gjithë kohës që ai flet me ty mendon se ai duket shumë më i madh për moshën e tij, ndërkohë që ti jo. Nëse jeni një nga ata me fat që dukeni më të rinj se mosha e tyre, nëse kur takoni shokët e klasës mendoni se ata janë shumë më të mëdhenj se ju, sipas studiuesve holandezë lajmi është i mirë edhe për shëndetin tuaj. Shkencëtarët morën me mend moshën e rreth 2700 njerëzve të moshës 50-90 vjeç bazuar në fotografitë e fytyrës së tyre. Më pas ata vlerësuan të dhënat e tyre mjekësore për të identifikuar ndonjë tendencë në gjendjen e tyre shëndetësore. Rezultatet treguan se ata që dukeshin pesë vjet më të rinj se mosha e tyre aktuale kishin aftësi më të mira perceptuese.
Po ashtu kishin 25% më pak gjasa të vuanin nga probleme mjekësore si katarakti.
Për hulumtuesin kryesor, Profesor Tamar Nijsten dermatolog në Qendrën Mjekësore të Roterdamit në Universitetin Erasmus, përfundimi i studimit është i thjeshtë: “Kur dukeni më i ri se sa jeni, atëherë shëndeti i organeve, trupit dhe mendjes tuaj do ta pasqyrojë atë… Ne zbuluam se pamja rinore lidhet me treguesit e ulët të plakjes së sistemeve të trupit”.
Përfundimet e studimit të publikuara në British Journal of Dermatology ishin befasuese. Ata që dukeshin pesë vjet më të rinj performuan më mirë në testet njohëse, kishin 15% më pak gjasa të vuanin nga COPD dhe 24% më pak gjasa të vuanin nga osteoporoza, 16% më pak gjasa për të pasur nevojë për kirurgji të kataraktit dhe 24% më pak për humbje dëgjimi. Studiuesit vunë re se rezultatet më të larta ishin zakonisht te meshkujt, jo duhanpirës dhe paksa të mbushur në fytyrë që e bënte atë të duket më rinore.
Sipas studiuesve, përfundimet e hulumtimit shfajësojnë mjekët të cilët ndër të tjera mbështeten te pamja rinore e pacientëve si tregues prognostik dhe diagnostikues të shëndetit.