Dubai s’është më ‘parajsë’ për kriminelët shqiptarë: Nga Dervishaj te Çapja, Dumani e Stafa, 10 të deportuarit në Tiranë gjatë një viti

Ndonëse vendi ynë nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, gjatë një viti janë deportuar drejt vendit tonë mbi 10 emra të njohur të botës së krimit. Tashmë për kriminelët shqiptarë, Dubai nuk është më një ‘parajsë’ ku mund të fshihen për t’ju shmangur drejtësisë.

Më 13 Mars të vitit 2024, u deportua Bruno Çobo i cili ishte shpallur në kërkim nga SPAK për mashtrim në bashkëpunim me persona të tjerë.

Pas Çobos, më 14 Gusht 2024 mbërritën në Tiranë njëri pas tjetrit Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe të cilët ishin shpallur në kërkim për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Ndërsa më 21 Gusht 2024, u depërtua Arjan Malko, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma për trafik droge.

Më 2 Maj 2025 u soll nga Dubai në Tiranë Florenc Çapja i cili ishte në arrati prej 10 vitesh. Ky i fundit është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012.

Më 11 Qershor ishte radha e Dashnor Dumanit, vëllai i Nuredin Dumanit. Emri i Dashnor Dumanit u lakua nga i penduari tjetër i drejtësisë, Erion Alibej, si një prej anëtarëve të masakrës së Bradasheshit me dhjetor 2018 ku u vranë 3 persona, mes tyre edhe Endrit Alibej.

Bashkë me të, Armes Stafa u soll nga Dubai, anëtar i bandës së Çopjave të Elbasanit, i cili për vite me radhë pastroi paratë e tyre të krimit.

Të depërtuarit e fundit janë më 19 Qershor. Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika janë të akuzuar si anëtarë të organizatave kriminale të Suel Çelës apo Çopjave në Elbasan.

Ervis Daka akuzohet se ofroi strehim për Talo Çelën i cili është në kërkim.

Maksim Koçi dyshohet për vrasjen e dy personave si dhe siguroi kushtet për vrasjen e 2 të tjerëve. I treti, Ado Xhika, 40 vjeç, është nën akuzë për përkrahje të autorit të krimit si pjesë e grupit kriminal për eliminim e Ardian Çapjas, gjatë sulmit me snajper.


Shtuar 23.06.2025 20:32