“Duart lart se ju vramë”, flet pronarja e argjendarisë në Kamzë: U përlesha me autorët, morën 1.5 kg flori!

Një argjendari ra pre e grabitjes mbrëmjen e djeshme në Kamzë.

Mësohet se autorët i kanë pasur punët e ndara për të marrë sasinë e floririt.

E përbashkëta e të treve ishte maska farmaceutike që mbanin për të fshehur fytyrat dhe dorezat që mbanin në duar për të mos lënë shenja gishtash, një prej tyre kishte në duar doreza si ato të punës. Njëri nga 3 autorët që hynë në argjendari mbante në duar kallashnikov, tjetri në dorë kishte vare dhe i fundit një qese për të futur bizhuteritë që do të grabisnin. Ata nuk janë identifikuar akoma nga policia, ndërsa u ndihmuan edhe nga një i katërt për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur materiale provash që mund të çojnë në identifikimin e tyre. Vijon këqyrja e kamerave të sigurisë për të gjurmuar makinën, e cila ka marrë drejtimin e autostradës, por hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që të ketë marrë kthesën drejt Fushë Krujës.

Ndërsa pronarja e argjendarisë, shtetasja N.S, 59 vjeç ka treguar se gjatë kohës kur ka ndodhur grabitja ka qenë bashkë me nusen e djalit dhe se ata e kanë kërcënuar me armë.

Ajo tregon se është përpjekur që t’i ndalë, duke u përleshur me to. Sipas saj ata kanë grabitur 1.5 kg flori.

“Ka ndodhur rreth orës 17:15, hera e parë që na ndodh diçka e tillë. Ata ishin 4, shoferi i BMW qëndroi në makinë, te grabitësit hynë në argjendari njëri pas tjetrit, me maska me doreza dhe të tre të veshur me të zeza komplet. Argjendaria ka dy kamera jashtë dhe dy brenda, filmimet i ka policia, na ka sekuestruar DVR-në. Unë N.S, 59 vjeçe dhe nusja e djalit E.S 31 vjeçe kemi qenë këtu kur ndodhi ngjarja. Veprimi i parë që bëri grabitësi ishte drejtimi i armës nga ne dhe tha: Duart lartë se ju vramë. Nuk kam thënë në polici që kishte dialekt jugor, ai e trashi zërin enkas që të mos dallohej, ndërsa dy të tjerët nuk folën fare dhe nuk u përmend asnjë emër mes tyre. Nuk kam kuptuar asnjë dialekt nga ata. Jam përleshur me grabitësin që mbante armë, më shtyu më hodhi në tokë, u përlesha dhe me dy të tjerët që t’i ndaloja të vidhnin, por më shtynë. U dorëzova, mbrojta nusen e djalit te cilën e futa te dhoma pas. Ata hynë lirshëm dhe dolën lirshëm pasi nuk kemi sistem që i ndalon ata të hapin derën si nga jashtë dhe nga brenda. Nga një llogari paraprake që kemi bërë konstatojmë mbi 1.5 kg flori të vjedhur, unaza, varëse, byzylykë dhe vathë, disa ishin të veçantë të personalizuar me porosi, dhe kushtojnë, rreth 50.000 dëm. Jemi të frikësuar se mos autorët nuk kapen dhe kjo gjë përsëritet. Banakun e kemi boshatisur s’kemi mall në vitrinë”, tha pronarja e argjendarisë.


Shtuar 29.11.2023 11:40