“Dua seriozitet”, Rama jep porositë për skuadrën negociatore: Sikur shteti të mbetej në dorën e atyre që hyjnë e dalin si në mallin e babait…

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me ekipin e negociatorëve për procesin e hapjes së negociatave drejt Bashkimit Europian.

Rama ka dhënë edhe porositë përkatëse për skuadrën negociatore.

Në krah të kryenegociatores së re, Majlinda Dhuka, Rama shpjegoi arsyet e ndryshimeve në qeveri ndërsa i kërkoi skuadrës që do përfaqësojë Shqipërinë në Bruksel të lënë përshtypje pozitive me punën e tyre.

“Është themelore që secili prej jush të garantojë me punën, seriozitetin, cilësinë e materialeve, të komunikimeve dhe ndërveprimit që Shqipëria të shikohet me respekt në çdo hap. Atë respekt që kemi fituar në aspektin politik dua ta fitojmë në aspektin Teknik. Dua që skuadra shqiptare të krijojë përshtypje pozitive në Bruksel.

Pjesën më të madhe tuajën kam pasur mundësinë t’i njoh dhe t’i vlerësoj për cilësitë dhe kam pasur mundësinë ta shoh edhe në një progres të caktuar. Disa nga zv/ministrat kanë qenë në këtë rrugë që në krye të herës. Sfida është tërësisht e re. Është e rëndësishme të theksoj se vendosja e kryenegociatores së re nënvizon ndryshimin e natyrës së marrëdhënieve mes nesh dhe BE. Ambasadori Mazi bëri një punë të lavdërueshme dhe diplomatike. Duke qenë krah në këtë proces, deri në momentin kur u vendos që negociatat të hapen formalisht.

Ka një ndryshim themelor. Ka shumë njerëz në administratën tonë që nuk i gjen në google por pa të cilët administrata nuk do funksiononte dot. Ka njerëz që janë në zyra që në fillim të viteve 1990. I kanë shërbyer shtetit me modesti. Sikur çdo gjë të kishte mbetur në dorën e atyre që hyjnë e dalin si në mallin e babait do kishin një situatë si pas tërmetit”, u shpreh mes të tjerash Rama.