Autoriteti Rrugor Shqiptar ka miratuar projektin e zbatimit për autostradën Kashar-Rrogozhinë, duke i hapur kështu rrugën nisjes së punimeve brenda këtij viti. Kjo rrugë, pjesë e Korridorit Blu, do të shtrihet në një gjatësi prej rreth 34 kilometrash.
Me këtë miratim, projekti kalon në fazën e ndërtimit dhe paralelisht hapet edhe procesi i shpronësimeve. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se tashmë janë përmbyllur diskutimet për mënyrën e lidhjes së aksit Kashar–Rrogozhinë me Bypass-in e Tiranës dhe se projekti është gati për zbatim. Sipas tij, pas vendimit të ARRSH-së, ministria do të nisë menjëherë procedurat e shpronësimeve, me synim që punimet të fillojnë brenda vitit.
Të lidhura
None found
Ky segment i Korridorit Blu vjen si vazhdim i aksit Thumanë-Kashar dhe do të ndërtohet sipas kategorisë A. Me një gjatësi prej 33.5 kilometrash, autostrada synon të krijojë një lidhje më të drejtpërdrejtë veri-jug dhe të lehtësojë trafikun në një nga korridoret më të ngarkuara të vendit, atë Tiranë-Durrës.
Duke e cilësuar projektin si pjesë të një pakete investimesh strategjike në infrastrukturën rrugore, Karakaçi theksoi se ai synon përmirësimin e lidhjeve brenda vendit dhe integrimin më të mirë të Shqipërisë me rrjetin europian të transportit.
Si një nga segmentet më të rëndësishme të Korridorit Blu, autostrada Kashar-Rrogozhinë luan një rol kyç në forcimin e lidhjes veri-jug dhe në përmirësimin e aksesit të Shqipërisë drejt korridoreve europiane të transportit.
