Shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara, William Burns, tha se Rusia nuk është serioze për zhvillimin e negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Këto ishin komentet e tij të para publike që nga takimi me homologun e tij rus, Sergey Naryshkin, në Turqi, gjatë muajit të kaluar.
I pyetur nëse moti i ftohtë i dimrit mund të ngadalësojë luftimet dhe të hapë mundësinë për bisedime, Burns tha se ata vlerësojnë se rusët nuk janë seriozë në këtë pikë për “negociata të vërteta”.
Takimi i 14 nëntorit mes Burns dhe Naryshkin, shënoi takimin më të lartë ballë për ballë midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë, që para shkurtit, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
Në fillim të kësaj jave, Rusia tha se SHBA-ja nuk kishte “qasje konstruktive” ndaj bisedimeve.
Në fillim të dhjetorit, presidenti amerikan, Joe Biden, tha të enjten se është i gatshëm të flasë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, nëse ai vërtet dëshiron t’i japë fund luftës.
Më 8 nëntor SHBA-ja tha se është “në interesat” e Uashingtonit të mbajë kontakte me Kremlinin.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL