Gjykata e Tiranës ka njohur vendimin për Ilir Pajën. Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se Ilir Paja është dënuar përfundimisht me 24 vjet, 8 muaj e 20 ditë burgim.
Paja është i dënuar më herët për vrasje, vrasje në tentativë, rrëmbim personi, marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura, armëmbajtje pa leje
Gjithashtu 49-vjeçari njihet ndryshe me nofkën “Ufo”. Paja nuk do të ekstradohet drejt Italisë, atje ku është i dënuar me 24 vite e 8 muaj burg, por dënimin do ta shlyejë në vendin tonë.
Arratisjet e Pajës
Ilir Paja u arrestua në vitin 2008, ishte person në kërkim ndërkombëtar, sepse ndaj tij është dhënë dënimi për një vrasje të kryer në Gjermani.
Ndonëse ai u arrestua në Itali, pas disa muajsh dënim, në qershorit 2006, ai ka mundur të arratiset nga paraburgimi i Perugia-s, duke përdorur çarçafët si litar, deri në arrestimin e tij të dytë, më 4 shtator 2006.
Ai u ndalua në Itali dhe ndaj tij u shtua edhe akuza për shfrytëzim prostitucioni.
Por ai ka mundur të ikë sërish nga burgu, në 14 gusht të 2007-ën, ndërsa policia ishte duke e transportuar me ambulancë, për shkak se i dënuari ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe kishte tentuar disa herë vetëvrasjen.
Kësaj here kishte bërë si i sëmurë psikik dhe kur e kishin transportuar me ambulancë kishte filluar të rënkonte e të tërhiqte vëmendjen e policit kryesor. Kur ky është afruar, Paja i ka dhënë një grusht në fytyrë.
Më pas ka hapur derën e autoambulancës dhe është larguar me vrap, ku ka kapërcyer një mur të lartë dhe ka ndjekur linjën e trenit. Edhe pse policët kanë qëlluar në ajër, nuk ka ndaluar.
Është futur në një pyll dhe është zhdukur. Pas arratisjes së dytë në Itali, Ilir Paja është kthyer në Tiranë, ku jetonte i fshehur dhe është arrestuar sërish./bw