Edhe pak orë na ndajnë nga nisja e protestës së thirrur nga Partia Demokratike dhe opozita e Bashkuar për në orën 16:00 para selisë së Kryeministrisë.
Ndërkohë tabelat e sinjalistikës rrugore në rrugët e kryeqytetit janë mbushur me fytyrat e kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.
Kujtojmë se ditën e sotme, opozita do të mbajë protestën kombëtare të paralajmëruar prej disa ditësh. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë thirrje se protesta do të jetë paqësore. Protesta pritet që të zhvillohet përpara kryeministrisë, në orën 16:00 ndërsa nuk dihet saktësisht se për sa orë do të vazhdojë. Policia e shtetit ka marrë masa për bllokim aksesh rrugore. Nga ora 15:00 segmentet rrugore të lidhura me protestën, do të jenë të pakalueshme. Ambasada amerikane në Tiranë, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin grumbullimet dhe të qëndrojnë të përditësuar mbi zhvillimet më të fundit. Kryeministria është blinduar ndërsa Edi Rama ende nuk ka pasur një reagim mbi protestën.