Dosja “Toyota Yaris”/ GJKKO nis gjykimin për ish-kreun e Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka

Gjykata e Posaçme, ka ndarë çështjen e ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, duke e trajtuar atë veçmas nga të tjerët që janë ende në kërkim dhe ka pranuar kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të tij.

Zarka akuzohet për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm, pas daljes së emrit të tij nga hetimet e zbërthimeve të aplikacionit Sky Ecc.

Ndërkohë, çështja e tre personave të tjerë, mes të cilëve ish-oficerja e BKH-së Erjona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi, është ndarë për shkak se ata ende nuk janë kapur dhe janë në kërkim.

Kjo ka bërë që çështja për ta të pezullohet për një vit. Zarka u arrestua më 29 korrik 2024, pas kërkesës së SPAK dhe urdhrit nga Gjykata e Posaçme.

SPAK, pretendon se të dyshuarit kanë marrë dhe dhënë ryshfet për të ndikuar në disa çështje penale, duke përfshirë dosjen “Toyota Yaris”.

Kjo ka ndodhur që kur dosja ka kaluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Tiranës.

Zbulimet janë bërë përmes komunikimeve në platformat Sky ECC dhe Enchro chat, ku Zarka rezulton të ketë pasur katër llogari dhe ka komunikuar me Dautajn, e cila gjithashtu përdorte llogaritë e saj.

Një nga çështjet ku Zarka ka ndikuar është edhe hetimi pasuror ndaj Suel Çelës, i cili ka nisur pas operacionit “Forca e Ligjit”, ku kryeprokurori i Vlorës ka tentuar të ndikojë te prokurorët e SPAK.


Shtuar 20.02.2025 12:25