DOSJA/ Si i fundosi policët grekë vrasësi i Artan Cukut, që e fshehën me pasaportë false

Mediat në Athinë kanë zbardhur detaje të reja nga dosja e pajisjes me pasaporta false greke të kriminelëve të ndryshëm, mes tyre edhe shqiptarë. “Kathimerini” shkruan se në prill të vitit 2020, një kriminel shqiptar Bledar Jambelli me pseudonimin “Ricardo Muho” dhe aktivitet kriminal në Spanjë dhe Greqi u kap për një rast të madh kontrabande cigaresh.

“Muho” ishte në atë kohë në një burg grek, i akuzuar për vrasjen e ish-oficerit të policisë shqiptare Artan Cuku tre vjet më parë në Tiranë. Muho akuzohej nga autoritetet shqiptare se kishte urdhëruar vrasjen e drejtuesit të lartë të policisë në këmbim të një shpërblimi prej 20 mijë eurosh” shkruan gazeta greke.

“Deri në arrestimin e tij, në dhjetor 2018, ai fshihej në Athinë duke përdorur një letërnjoftim dhe pasaportë false nën informacionin “Christos Hamkidis”. Dokumentet e falsifikuara ishin blerë për 35 mijë euro nga rrjeti i falsifikimit që u çmontua në mesjavë ku të përfshirë ishin shumë policë” vijon më tej shkrimi.

“Kathimerini” zbulon se informacione kritike për funksionimin e qarkut janë zbuluar, gati një vit më parë, nga vetë Bledar Jambelli që njihej me disa pseudonime, njëri prej tyre “Ricardo Muho”.

Por ku gabuan policët që kishin ngritur rrjetin e pasaporta false? “Një gabim i rëndë i rrjetit kriminal për më tepër, ishte ai që e kishte çuar shqiptarin “Muho” përpara hetuesve pavarësisht se ai kishte dhënë një shumë jo të vogël për të fshirë gjurmët e tij. Me të njëjtat informacione që ishin përdorur për lëshimin e dokumenteve të tij të falsifikuara, anëtarët e bandës i kishin lëshuar të dhënat një anëtari të një kompanie të përfshirë në një rast të madh të kontrabandës së cigareve”.

Kjo bëri që shqiptari të rrëfehej. “Para hetuesit të Pireut, i cili e thirri për shpjegime për kontrabandën, krimineli shqiptar në rolin e një klienti të pakënaqur nuk hezitoi të përmendte një nga anëtarët kryesorë të grupit kriminal, një 62-vjeçar emigrant nga Kazakistani, me një përfshirje të mëparshme në rastet e trafikimit. Në momentin që u thirr në polici shqiptari më 29 prill 2020 e ka pranuar se të dhënat e identitetit ishin të rreme” shkruan gazeta duke bërë që autoritetet greke të nisin hetimet.

Pas nisjes së hetimeve, autoritetet greke kapën edhe një grua shqiptare me pasaportë të rreme e përfshirë në një rast trafiku droge. Dokumenti i rremë ishte lëshuar nga Departamenti i Sigurisë së Aspropirgos. Në kasafortën e tij janë gjetur 320 mijë euro cash. 285 mijë euro të tjera u gjetën në shtëpitë e përdorura nga një shqiptar, i akuzuar për drogë, i cili u arrestua në Holandë, gjithashtu me një kartë identiteti që ishte marrë po nga i njëjti grup kriminal, ku janë përfshirë 24 policë deri më tani.

Metodologjia

Sa i përket metodologjisë së veprimit të spirales, drejtuesit e dyshuar gjetën klientë në shumë raste kriminelë shqiptarë dhe rusë të etiketuar ose të ndjekur penalisht për vrasje dhe trafik droge.

Ata janë drejtuar në Repartet “bashkëpunuese” të Sigurimit të Atikës, ku kanë paraqitur kërkesën për një kartë të re identiteti. Për letërnjoftimet dhe pasaportat e reja false, ata përdorën kryesisht të dhënat e emigrantëve grekë nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, të cilët ose nuk kishin lëshuar kurrë letërnjoftime ose kishin karta të tipit të vjetër. Ata i gjetën këto raste me ndihmën e një punonjëseje në një zyrë të gjendjes civile në Atikën Perëndimore.

Në rastet e kriminelëve të shumëkërkuar dokumentet e falsifikuara shiteshin për 30.000-35.000 euro, siç duket nga bisedat mes të akuzuarve që janë regjistruar gjatë hetimeve sekrete. “Tani po kërkojnë një shok. Më falni vëlla, nuk dalin njëzet e pesë, të paktën tridhjetë. Duhet të na japë 15 mijë dhe në polici edhe 15 mijë për të shkuar” janë disa nga përgjimet e zbardhura.

Një nga rastet tipike të kriminelëve që kanë marrë një identitet të rremë përmes qarkut është ai i 37-vjeçarit shqiptar Marios Djamadi, i akuzuar për drogë, i cili më 16 nëntor, në mes të një hetimi sekret, u vra në një karburant./ Abcnews.al


Shtuar 6.12.2021 10:02