DOSJA/ Më sill “5 birra dhe 100 euro”, si komunikonin me kode për kokainën grupi i Ergys Dashit

Policia italiane ka zbërthyer mënyrën se si funksiononte grupi i Ergys Dashit, i cili u vra pak muaj më parë në Ekuador duke faktuar transportin e kokainës nga Amerika Latine në Europë dhe më pas shpërndarjen në doza më të vogla.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga ABC, grupi përdorte portet e Holandës për të sjellë kokainën nga Amerika Latine dhe më pas e shpërndante nëpër Europë.
Prokuroria italiane thekson se organizatorët e grupit ishin Ergys dhe Edmond Dashi. Këta të fundit e kishin organizuar grupin në mënyrë kapilare duke lënë nga një përgjegjës për rajonet e Italisë si edhe në shtetet përreth.

Kështu për shembull, sipas prokurorisë italiane, Ergysi dhe Edmondi kishin lënë Rigels Yzeirajn si përgjegjës për rajonet qendrore të Italisë, ndërsa Bedrana Ahmiç ishte përgjegjëse për Slloveninë. Këta të fundit bënin më pas organizimin kapilar të grupit më poshtë.

Përgjimet

Prokuroria italiane e ka ndjekur fizikisht dhe përmes përgjimeve grupin në fjalë duke zbuluar edhe kodet e tyre. Kështu për shembull, kur pjestarët në nivelet e poshtme të grupit donin të porosisnin kokainë, nuk përdornin fjalën “doza” por “birra”. Kur donin 5 doza për shembull, sipas prokurorisë italiane, ata thonin “më sill 5 birra”.

E njëjta formë kodifikimi ishte përdorur edhe sa i poërket sasisë. Kur flisnin për sasinë, ata nuk thonin “gramë”, por “euro”. Për shembull, nëse kërkonin për të shpërndarë 100 gramë kokainë thoshin “më duhen 100 euro”.